Justina Aliaj vjen me “Oksigjen, kjo shpikje për shekullin e 21”

Justina Aliaj, ylli i këngës dhe skenës shqiptare, një artiste padiskutim ikonë. E bekuar në shumë aspekte jo vetëm në muzikë por edhe në aktrim.  Nder dhe privilegj për një emër shqiptar që na nderon kudo.

Që në vegjëli, shpirti ju mbush me teatër, teksa në “Shtëpinë e Pionerit” asokohe, luante e provonte të këndonte. Rruga e saj drejt artit nuk mbaroi kurrë, as nuk u mbyll ndonjëherë.

E ftuar në emisionin e pasdites “Jeto me orën” Justina Aliaj tregoi më tepër për karrierrën e saj muzikore ndër vite. Justina është një zë i veçantë për skenat shqiptare dhe jo vetëm.

Justina u shpreh: “Ajo që më mbush shpirtin është përmbushja e ëndrrave të mia, të sjell projekte të reja, të sjell për publikun shfaqje të ndryshme”.

Së fundmi Justina Aliaj ka sjellë për publikun 2 projektet e saj më të reja, dy këngë me tituj “Oksigjeni, kjo shpikje për shekullin 21” dhe “Kënga për mjekun”.  Teksa tregon për emocionin që i kanë falur këto 2 projekte ajo thotë se impakti që kanë pasur këto 2 këngë që ka sjellë në publik kanë qenë të paparashikuara nga artistja.

Një nga gjërat që për Justinën është e rëndësishme është teksti, pasi para se ta këndojë ai duhet ta "godasë".

Ndërsa kthejmë vëmendjen tek fëmijëria e saj, ajo e kujton me mall. Sipas saj ajo që e ka nxitur për të ecur para është pikërisht vendi i saj i lindjes, qyteti i Shkodrës.  Justina tanimë e ndan jetën e saj mes Tiranës, Shkodrës dhe Brukselit. Ky i fundit është vendi i dytë pas Shqipërisë që i ka hapur dyert e karrierës Justinës.

Një surprizë emocionuese për Justinën ishte edhe videomesazhi nga këngëtarja Irma Libohova.