Shqipëria copy-paste!
Raporti i DASH, mbushur me kritika për nivelin e korrupsionit, shkeljet në zgjedhje, lirinë e medias, etj. etj, u cilësua si një copy paste nga kryeministri.
Dmth, nuk ka pasur ndonjë gjë të re, por ata atje në Uashington i kanë ndryshuar datën atij të vjetshmit dhe i kanë bërë një print. Padyshim që nuk është kështu.
Por në qoftë kështu, është edhe më keq. Në fakt Shqipëria dhe raportet mbi janë një lloj copy paste. Ndryshojnë ngjarjet, personazhet dhe dozat e abuzimit.
Raportet për zgjedhjet gjithmonë tregojnë se ato ishin më të mira se të shkuarat, por sërish jo brenda standardeve.
Raportet për korrupsionin tregojnë se ai është shtrirë në të gjitha nivelet e pushtetit, dhe se është pengesë serioze për zhvillimin.
Raportet për demokracinë, vazhdimisht thonë se ajo është një lloj hibridi, pra një produkt i modifikuar gjenetikisht.
Raportet për drejtësinë, vazhdimisht thonë se nuk po lufton korrupsionin në nivelet e larta dhe pandëshkueshmëria është problem.
Raportet për lirinë e medias thonë se media është e nënshtruar dhe e vënë në shërbim të politikës.
Në këtë drejtim, kryeministri ka të drejtë, sepse në Shqipëri asnjëherë asgjë nuk ka ndryshuar. Vetëm se është shtuar doza.

