Editoriali i “Drejt” - Zgjedhjet dhe beteja mes Berishës e Bashës

Edhe pse në kuptimin formal zgjedhjet e parakohshme në gjashtë bashki të vendit nuk ndryshuan asgjë, sepse Partia Socialiste kishte pesë bashki dhe fitoi po pesë, ndërkohë që njërën nga të gjashta, bashkinë e Shkodrës partia e Edi Ramës nuk e ka pasur asnjëherë që prej 30 vitesh e sërish nuk ia doli ta fitonte edhe pse me Partinë Demokratike të përçarë, në një plan më përmbajtësor, keto zgjedhje na japin mundësinë të “lexojmë” disa trende që politikisht meritojnë vëmendje.

Me ngjarjet që na ka ofruar Partia Demokratike prej pothuaj një viti e tëhu e që patën si vijëndarëse në qëndrimet e tyre dy palët e saj momentin e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike përmes trukut të pezullimit pas shpalljes së tij person non grata nga ana e Sekretarit Amerikan të Shtetit, zgjedhjet e 6 marsit priteshin e shiheshin prej shumëkujt si sfidë mes Berishës e Bashës, përkatësisht edhe mbështetësve të tyre.

Në këtë kuptim, e gjithë fushata praktikisht u përqendrua në këtë garë aq sa gjithë retorika e përdorur nuk ishte tjetër po vazhdim i asaj të mëparshmes mes nongratave dhe kundërshtarëve të tyre.

Votuesit e Partisë Demokratike në këtë rast zgjodhën ish kryetarin në vend të kryetarit, pa përfillur as logon dhe as flamurin e partisë e të pakushtëzuar nga vijësjellja që u përpoqën të impononim diplomatët e SHBA.

Diferenca është e dukshme dhe rezultati nuk le hapësira për dyshime se kush e ka dhe se kush e kontrollon bazën e PD-së.

Nga ana tjetër, Shkodra jep një mesazh edhe më domethënës, edhe më të drejtpërdrejtë.

Partia Socialiste që nuk e ka fituar bashkinë e Shkodrës asnjëherë që prej krijimit të saj në të gjitha garat zgjedhore, nuk ia doli ta fitonte dot as në konjukturën më të favorshme për të, teksa konkurronte përballë një PD-je në dy.

Më saktë, Sali Berisha ia doli ta mundë Partinë Socialiste në Shkodër më shumë se sa me emrin e kandidatit, me karizmën dhe peshën e emrit të vet, edhe pse në garë ishte edhe një kandidat i tretë nga Shkodra si përfaqësues i Partisë Demokratike.

Kësisoj, Shkodra e rikonfirmoi veten edhe një herë si Shtëpia e Lirisë për Sali Berishën, duke votuar ekskluzivisht për të edhe pse e di që kryetari i zgjedhur nuk do të mund të bëjë dot asgjë për Shkodrën, sepse përveç se është një kryetar që nuk do të ketë mbështetjen e qeverisë, nuk ka të vetin asnjë prej anëtarëve të këshillit bashkiak.

Ndaj, zgjedhjet e 6 marsit përpos faktit se plotësuan disa vende kryetarësh bosh në gjashtë bashki të vendit, shënjojnë edhe një stacion të ri në atë që do të vazhdojë ende gjatë; betejën mes Berishës dhe Bashës.