"Pfizer" "Moderna" rrisin çmimet e vaksinave për kontratat me BE

Prodhuesit e dy vaksinave më efikase kundër kovidit-19, amerikanët e "Pfizer" dhe "Moderna", kanë rritur çmimet e dozave për Europën.

Sipas një raporti të britanikes "Financial Times", një dozë vaksine "Pfizer/BionTech" do i kushtojë BE-së 19,5 euro nga 15,5 euro sipas kontratave të vjetra, ndërsa "Moderna" e ka rivlerësuar vaksinën e saj në 25,5 euro nga 22,6 euro.

Çmimet e reja reflektojnë kërkesën e lartë për vaksina efektive, thonë ekspertët, ndërsa vetë kompanitë nuk kanë komentuar për shkak të politikave të konfidencialitetit me kontratat.

Të martën e shkuar, Komisioni Europian tha se është drejt objektivit të vaksinimit të 70 për qind të të rriturve brenda muajit shtator.

Deri tani, më pak se 60 për qind e shtetasve të BE-së janë vaksinuar plotësisht.

Unioni ka grumbulluar deri tani më shumë se 1 miliard doza nga prodhuesit e vaksinave "Pfizer", "Moderna", "AstraZeneca" dhe "Johnson & Johnson".

Agjencia Europiane e Barnave po vlerëson edhe vaksinat "Sinovac", "Curevac", "Novavax", "Sputnik V" dhe "Sanofi Pasteur".

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar vendeve të pasura t'i shpërndajnë dozat për shtetet në nëvojë, teksa vendet si Britania apo Gjermania përgatiten t'u ofrojnë një dozë të tretë mbrojtëse moshave mbi 60 vjeç.