Dhjetëra persona rezultojnë të zhdukur dhe të paktën 24 të tjerë kanë humbur jetën nga zjarret masive që po djegin perëndimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mëngjesi për banorët e shtetit të Oregonit solli me vete re të trasha tymi të dëmshme për shëndetin e njeriut që rivizatuan në ngjyrë portokalli peisazhet e Portlendit.

Qindra zjarrfikës po luftojnë për të shuar dy vatra zjarri të cilat rrezikojnë të takojnë njëra-tjetrën në pjesën më të populluar të vendit, ndërsa gjysmë milion banorë janë njoftuar të largohen.

Temperaturat e larta dhe 100 vatra tejet aktive po shkrumbojnë sipërfaqe të përmasave historike edhe në shtetet e Uashingtonit dhe Kalifornisë.

Sipas guvernatorit kalifornian, Gevin Njusom, situata është pasojë e krizës klimatike që po kalon bota.

“Thjesht ejani në shtetin e Kalifornisë dhe shiheni me sytë tuaj. Debati për ndryshimet klimatike ka marrë fund, madje as nuk duhet shtruar më si temë. Thatësirë ekstreme, lumenj atmosferikë ekstremë, nxehtësi ekstreme, të mos harrojmë se këto javë kemi pasur edhe gushtin më të nxehtë në histori, 14 mijë vetëtima për tri ditë dhe temperatura rekord mbi 56 gradë Celsius.”

Që prej muajit gusht, në Kaliforni zjarret kanë djegur një sipërfaqe prej 900 mijë hektarësh tokë dhe pyje, rreth 250 mijë në Uashington dhe 365 mijë hektarë në Oregon.

Mijëra godina janë shkatërruar ndërsa vetëm gjatë dy ditëve të fundit, 10 persona u gjetën pa shenja jete brenda banesave apo automjeteve të tyre teksa tentonin të largoheshin.

Shkaqet e zjarreve deri tani raportohet se janë kryesisht natyrore, dhe autoritetet me përfshirjen edhe të FBI-së kanë hedhur poshtë thashethemet e nxitura nga rrjetet sociale se ato po provokohen në mënyrë të koordinuar nga ekstremistë të krahëve të ndryshëm politikë.

Për shkak të shpyllëzimeve në masë të gjerë, autoritetet kanë paralajmëruar rreziqet e rrëshqitjeve të dheut në zonat e prekura teksa afron stina e dimrit dhe shirat që e shoqërojnë.