Zjarret përfshijnë SHBA-të dhe Australinë

Zjarret përfshijnë SHBA-të dhe Australinë

Tragjedia e zjarreve masive në Australisë në fillimin e vitit mund të përsëritet sërish nëse mungojnë përgatitjet nga qeveria dhe komuniteti i banorëve për t'i parandaluar. Në SHBA, ndërkaq, ka shkuar në 7 numri i viktimave nga qindra vatra zjarri nëpër Kaliforni.

Autoritetet australiane i druhen rrezikut të një katastrofe natyrore prej zjarreve stinore, ndaj u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë sipërfaqe tokash t'i pastrojnë ato nga lëndët e djegshme.

Zjarret në rajonet juglindore të vendit gjatë këtij viti shkrumbuan rreth 11 milionë hektarë tokë dhe pyje, duke vrarë 33 persona e duke shfarosur qindra milionë kafshë autoktone.

Një hetim i pavarur zbuloi se shkaku kryesor i përhapjes së flakëve ishte thatësira ekstreme, moti i nxehtë dhe me erë, dhe ndryshimet klimatike.

Në rekomandimet e tyre për evitimin e situatave të ngjashme, ekipi i ekspertëve të martën sugjeroi strategji më të mira të shuarjes së flakëve nga ajri, djegie të kontrolluara të tokës, lejimin e zjarrfikësve për të hyrë në pronat private për të asgjësuar materialet që provokojnë zjarret dhe përmirësimin e sistemeve të alarmit për identifikimin e tymrave të zjarrit.

"Këto 76 rekomandime janë të gjithanshme dhe tregojnë se nuk ka një zgjidhje magjike. Në verën e fundit na gjunjëzoi thatësira por dimë edhe që shumica e këtyre zjarreve u ndezën prej vetëtimave, dhe sado mirë të përgatitet qeveria, këto nuk i kontrollon dot."

Në një tjetër kontinent, në Amerikën Veriore, banorët vijuan edhe të martën të përballen me qindra vatrat aktive të zjarrit të shpërndara nëpër shtetin e Kalifornisë.

Përpos mijëra forcave në terren, në ndihmë kanë ardhur edhe helikopterët zjarrfikës duke bombarduar me ujë zonat e rrezikuara.

Këtë vit, flakët kanë shkatërruar rreth 500 mijë hektarë tokë e pyje, krahasuar me 22 mijë hektarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

"Të mërkurën na paraqitën urdhrin e evakuimit por ne zgjodhëm të qëndrojmë. Kemi kafshët, pulat, tre qentë. Nuk kemi ç'bëjmë, por po të jetë e nevojshme, do largohemi nga banesa.’’

Deri tani, nga zjarret në Australi kanë humbur jetën 7 persona, 1,200 janë banesat dhe godinat e djegura ndërsa mbi 170 mijë banorë kanë marrë urdhrin për t'u larguar nga zonat në rrezik.

EMISIONET