Zjarret që kanë përfshirë Mallakastrën ditën e sotme dhe qarkun e Dibrës janë vendosur nën kontroll.

Këtë e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare.

Gjithashtu ajo njofton se edhe 10 vatra të tjera kanë mbetur aktive të cilat janë nën monitorim dhe nuk paraqesin rrezik për banorët.

Ndërkohë është vendosur nën kontroll dhe zjarri në malin e Kakarriqit.

Qendra Kombëtare Operacionale e Mbrojtjes Civile bën me dije se në Lezhë janë aktive 4 vatra zjarri, në njësinë administrative Shëngjin, zona Rëra e hedhur-Maja e Zezë dhe po punohet për izolimin e tyre.

Ndërsa në Rubik, në fshatin Katund i Vjetër, vatra ka intensitet të ulët dhe është nën monitorim.

Në Elbasan ka patur një vatër zjarri në Gramsh në fshatin Siman. Policia ka nisur hetimin për shkaqet e zjarrit.

Në Fier nga 3 vatra, 2 tashmë janë lokalizuar dhe janë drejt përmirësimit. Situata është nën kontroll edhe në fshatin Hekal, Mallkastër, ku u raportua për zjarr në sipërfaqe me shkurre ullishte dhe pemëtari.

Vështirësi ka paraqitur terreni në njësinë administrative Terpan në pyllin e Ballollit në Berat, por zjarri nuk përbën rrezik për komunitetin, pasi ndodhet larg zonave të banuara.

Përveç forcave zjarrëfikëse në bashkitë përkatëse, rreth 200 efektivë të Forcave të Armatosura u kanë ardhur në ndihmë për të evidentuar dhe për të vendosur nën kontroll vatrat e zjarreve.