Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga shtëpia e familjes Veseli në Fushë-Milot, pas rënies së zjarrit në një nga dhomat.

Në shtëpinë e cila ishte shpallur e pabanueshme, pas dëmtimeve nga tërmeti i nëntorit të 2019 nuk duhet të hynte askush, por mungesa e një vend strehimi ka detyruar familjarët që natën të flenë brenda rrënojave.

Djali i familjes, 24 vjeç ka shpëtuar mrekullisht pasi ndodhej në dhomën ku ra zjarri, që dyshohet se u shkaktua nga një shkëndije elektrike. E zonja e shtëpisë e alarmuar dhe e pikëlluar tregon momentet e ngjarjes.

“Djali ka parë që ka qenë bllokuar këtu, ka parë perden që ka marrë flakë, ka qenë i bllokuar, ka dalë nga dritarja dhe ka shkuar te kunata. Merr ujë te pusi dhe fik zjarrin.”

Një tjetër zjarr këtë radhë në një stan në fshatin Viron të Finiqit ka djegur 200 krerë dele dhe një sasi të konsiderueshme bazë ushqimore.

Flakët në stan kanë rënë rreth orës 06:15 të mëngjesit, dhe dyshohet se kanë qenë aksidentale.

Flakët  nuk kanë kursyer as një banesë në rrugën “Mikel Maruli” në Astir të Tiranës, pasi rreth mesnatës së kaluar një apartament në  katin e katërt të një pallati është shkrumbuar.

Banorët janë evakuuar menjëherë, ndërsa si pasojë janë raportuar vetëm dëme materiale.