16:40 – Zbardhet ngjarja e ndodhur sot në Drejtorinë Arsimore Fier.

Policia ka mundur të ndalojë autorin, cili i vuri zjarrin në katin e dytë të DAR Fier.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Ora News, Inelda Vallja, personi i arrestuar është shtetasi Indrit Alushaj, me profesion mësues.

Burime për Ora News bëjnë me dije se, 33-vjeçari kishte aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” por nuk kishte mundur të fitonte.

POLICIA: Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, falë punës së mirëorganizuar dhe veprimeve të shpejta profesionale, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen në kohë rekord të autorit të kësaj ngjarje, i cili për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin katit të dytë të DAR Fier duke e spërkatur fillimisht me lëndë djegëse (benzinë).

Eshtë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier autori, shtetasi I. A., 33 vjeç, banues në Fier, dhe po kryhen veprimet procedurale.

15:45 – Godina e Drejtorisë Arsimore Fier është përfshirë nga flakët pak minuta më parë.

Siç raporton gazetarja e Ora News, Inelda Vallja, zjarri ka rënë në katin e dytë të godinës, ndërsa të gjithë punonjësit janë evakuar në kohë nga shërbimet e policisë.

Uniformat blu të Fierit po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që shkaktuan flakët.

Kujtojmë se zjarri ka rënë në ora 15:10, ndërsa Drejtoria Arsimore mbyll orarin e punës në 14:30.

Njoftimi i Policisë Fier:

Informacion paraprak

Sot rreth orës 15:10, te Drejtoria Arsimore Fier, në katin e dytë ka rënë zjarr.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë të cilët bënë evakuimin e personave që ndodheshin aty.

Shërbimi zjarrfikës po punon për fikjen e flakëve.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.