Zhgënjen debati Trump-Biden

Zhgënjen debati Trump-Biden

Debati i parë mes dy kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trampit dhe Xho Bajdenit, ka lënë të zhgënjyer publikun amerikan.

Kur mendohej se do përplasnin platformat e tyre politike, faktikisht presidenti 74-vjeçar dhe rivali i tij demokrat, 77-vjeçar, e kthyen të martën sallën në një arenë sulmesh personale, me tone të larta, me ndërprerje nga të dyja palët madje edhe më ndërhyrjen e moderatorit në debat.

Në ato pak momente të qeta gjatë 90 minutave, debati u fokusua te çështjet si ekonomia, Gjykata e Lartë, sistemi shëndetësor, racizmi dhe integriteti i zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Bajdeni e vuri në pikëpyetje lidershipin e Trampit edhe për sa i përket situatës me pandeminë e koronavirusit, që në vend u ka marrë jetën mbi 200 mijë vetave.

"Ti je presidenti më i keq që ka pasur Amerika. E dinte që në shkurt se sa serioze ishte kriza, sa vdekjeprurëse ishte sëmundja. Dhe nuk e njoftoi publikun se gjoja nuk donte të shkaktonte panik. Atë e zuri vetë paniku. Të dalë nga bunkeri ku rri futur dhe të bëjë çfarë duhet për të shpëtuar jetë njerëzish."

"Xho, unë kam bërë për 47 muaj aq sa ti ke bërë për 47 vjet. Ti nuk do ta kishe bërë kurrë atë që bëmë se nuk e ke në gjak. Ty do të kishin vdekur shumë më shumë njerëz për muaj me radhë, sepse kur unë mbylla që herët kufijtë me Kinën prej virusit, më akuzuat si ksenofob, por në fakt ai vendim na shpëtoi mijëra jetë njerëzish"

Në debat u shtrua edhe çështja e mospagesës së taksave për vite të tëra nga Trampi kur ai ishte biznesmen, pyetje së cilës presidenti iu përgjigj se shfrytëzoi lehtësirat e ligjit kombëtar.

"Para se të vija në Shtëpinë e Bardhë kam qenë një ndërtues privat, biznesmen, dhe si çdo person privat, vetëm po të jesh budalla që të mos përfitosh nga ligji për lehtësira fiskale."

Në SHBA, protestat për të drejtat e afroamerikanëve vazhdojnë prej muajsh, dhe sipas demokratit Bajden, Trump ka rol kyç në përshkallëzimin e tensioneve me baza racore në vend.

"Ky president gjithçka e përdor si bilbil për t'i fishkëllyer urrejtjes dhe përçarjeve raciste. Kur thotë se ka ndihmuar afroamerikanët, 1 në 1 mijë afroamerikanë në vend janë vrarë nga koronavirusi. Ky njeri nuk është shpëtimtari i afroamerikanëve, as nuk i interesojnë fare."

Në përfundim të debatit sondazhet treguan se publiku amerikan doli më i humburi dhe më pak i informuari nga dy kandidatët për president.

Shumica prej tyre shprehën pakënaqësi me qasjen negative të rivalëve, ndërsa 48 për qind thanë se debatin e fitoi ish-zv.presidenti demokrat, Bajden, i cili tani do duhet ta përballë edhe dy herë të tjerë kreun e shtetit në arenat e ardhshme më 17 dhe 22 tetor.

Bota Lajme SHBA debati zgjedhje trump biden zhgenjen

EMISIONET