Një ditë pas zbulimit të trupave të pajetë të dy kushërinjve në Vrith të Malësisë së Madhe policia e Shkodrës ka prerë fletë arrestin për babain e Danjel Peplës, Rrokë Pepaj.

Mësohet se këtë mëngjes i është komunikuar akuza ndërkohë që më përpara ishte marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore.

Rrok Pepaj dyshohet se prej ditës së parë ka qenë në dijeni të detaje të krimit, por ka dhënë dëshmi të rreme.

Masa e arrestit, u mor pasi burri u mor në pyetje  për disa orë gjatë ditës së enjte, 8 tetor, dhe ndihma e tij çoi në gjetjen e dy trupave të pajetë në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”

Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet se u vranë me një armë kallashnikov, të cilën 25 vjeçari e mbante të fshehur pranë parcelës me kanabis që po kultivonte aty.

Klement Pepaj është qëlluar me armë zjarri në kokë, ndërsa Vilson Çutaj është goditur në pjesën e barkut.

Dyshimet janë se shkak për konfliktin mes tre të rinjve me lidhje gjaku është bërë grabitja e një parcele me kanabis, ndërsa të tre ishin zhdukur më 3 tetor

Policia asgjësoi lëndën narkotike me djegie, ndërsa deri tani ka dështuar të gjeje armën e krimit.

Familjet e viktimave morën trupat e pajetë për cermoninë mortore, ndërsa në familjen e autorit kishte vetëm heshtje. Policia ndërkohë mësohet se ka marrë masa për të shmangur rrezikun e një hakmarrje.

Ajo që për policinë ishte kontradiktore në gjithë këto ditë përveç dëshmive të familjarëve e banorëve të zonës, ka të bëjë me gjetjen e disa rrobave në krahun e kundër ku ishin trupat e dy të rinjve.

Sipas grupit hetimor ky mund të ketë qënë një skenar për të vështirësuar operacionin, por një prej familjarëve i tha policisë së Klement Pepaj nuk vishte rroba me ngjyra dhe prandaj nuk ishte e tija bluza e gjetur.

Lexo dhe:
Vilsoni dhe Klementi u gjetën të vrarë në parcelën me 29 bimë kanabis