Zgjerimi i kufirit detar, PD: Nuk ka transparencë, Rama: Vajmedet PD ka dalë në mbrojtje

Zgjerimi i kufirit detar, PD: Nuk ka transparencë, Rama: Vajmedet PD ka

Për diskutimet mbi kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka reaguar sërish Partia Demokratike.

Përmes një deklarate ata shkruajnë se nuk ka asnjë transparencë nga qeveria shqiptare lidhur me këtë proces.

Gjithashtu ata kërkojnë informacione se cila është hapësira ku zgjerohet shteti grek dhe nëse cenohen ligjet ndërkombëtare.

Deklarata:

Partia Demokratike po ndjek me vëmendje zhvillimet lidhur me deklarimin e Greqisë për zgjerimin me 12 milje të ujërave territoriale. Nisur nga fakti se mes Shqipërisë dhe Greqisë ka mbetur pezull procesi i delimitimit dhe se kjo përfshin zona me brigje përballë, një ekip ekspertësh të së drejtës së detit dhe asaj ndërkombetare po shqyrton këtë çështje. Nga konstatimet e para vihet re se:  

 Konventa III e OKB-së mbi të Drejtën e Detit - UNCLOS, parashikon se:   

Neni 3  

Gjerësia e detit territorial  

Çdo Shtet ka të drejtën të vendosë gjerësinë e deti të tij territorial deri në një kufiri që nuk kalon 12 milje detare, të matur nga vija bazë e përcaktuar në përputhje me këtë Konventë.  

Derisa të mos jetë përfunduar një marrëveshje mes tyre, shtetet duhet të sillen në mënyrë të tillë që të mos venë në rrezik ose të pengojnë arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Në pjesën më të madhe të mosmarrëveshjeve mbi delimitimin e ujërave territoriale apo të zonave ekonomike ekskluzive të shqyrtuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, thelbi i problemit mbetet përcaktimi i vijës bazë nga i cili llogaritet gjerësia e detit territorial, në lidhje me çdo vend kufitar. Sipas Konventës së OKB për të Drejtën e Detit – UNCLOS, kjo bëhet me marrëveshje mes shteteve kufitare për të arritur një zgjidhje të barabartë për palët.

Roli dhe pesha e secilit ishull në përcaktimin e kësaj vije bazë, nga e cila fillon matja e elementëve të ujërave territoriale etj, duhet të jetë objekt i një negociate të kujdesshme, duke pasur parasysh si vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 ashtu edhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe ato të Tribunalit Ndërkombëtar mbi të Drejtën e Detit.   

Kjo çështje ka nevojë për transparencë dhe informacion të detajuar dhe sqarues se cfarë po ndodh, cila është hapësira ku zgjerohet shteti grek, a shkelen ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje dhe a cënohen të drejtat dhe hapësira detare e Shqipërisë.  

Në vend të transparencës dhe informacionit, kryeminstri Rama ka zgjedhur të fshihet pas sulmeve dhe gjuhës vulgare. Ndërkohë qeveria vazhdon të mos japë asnjë informacion mbi cfarë po ndodh me negociatat për delimitimin detar me Greqinë.  

Partia Demokratike mbështet zgjidhjen e çdo cështje të mbetur pezull në marrëdhëniet me fqinjët përmes negociatave transparente duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, por në asnjë mënyrë duke cënuar të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë Rama të ndalë fushatën e sulmeve dhe gjuhën denigruese dhe të bëjë transparencë të plotë mbi të gjitha çështjet e lartpërmendura.

Për reagimet e Partisë Demokratike ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Tëitter.

“Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD!Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s'e ka shokun për të bërë sikur?Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s'u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit!”

Vendi Lajme Politikë gjykata kushtetuese partia demokratike deklarate Aktualitet zgjerimi i kufirit me greqine

EMISIONET