Zgjerimi i Greqisë në Jon, përfundon shqyrtimi i projektligjit në komisionet parlamentare

Zgjerimi i Greqisë në Jon, përfundon shqyrtimi i projektligjit

Komisionet e përhershme parlamentare të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes së Parlamentit të Greqisë, përfunduan shqyrtimin e  projektligjit për “Zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon dhe në Ishujt e Jonit deri në Kepin Tainaro në Peloponez".

Miratimi nga të gjitha palët u përshëndet nga ministri i Jashtëm Nikos Dendias, si gjest solidariteti kombëtar.

Zgjerimi i ujërave territoriale u krye në bazë të nenit 27, të Kushtetutës dhe tani duhet të kalojë në seancë plenare me shumicë të cilësuar.

Për ministrin Dendias, zgjerimi i ujërave në Detin Jon është akti i fundit i zgjidhjes së çështjeve të mbetura rajonale, pas marrëveshjes me Italinë.

 “Kjo është koha e duhur në rajon për ta zgjidhur këtë çështje, ndryshe nga koha kur tre vjet më parë Nikos Kotzias, u largua nga Ministria e Jashtme. Veçanërisht marrëveshja me Italinë ishte katalizator për zgjerimin e ujërave në Jon," tha Dendias, duke nënvizuar se kjo është hera e parë që Greqia zgjeron territorin.

Ministria e Jashtme e Greqisë ka bërë përmirësimin në projektligjin e dërguar në Parlament dhe nuk përshkohet mundësia për të bërë ndryshime të tjera deri në miratimin e parashikuar për javën e ardhshme.

Pas këtij hapi, Greqia dhe Shqipëria do ta çojnë çështjen e përcaktimit të kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Vetë ministri Dendias, thotë se për të shmangur politizimin e procesit, çështja do t’i paraqitet Gjykatës pas zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.

Shqyrtimi i këtij projektligji për zgjerimin e ujërave në Detin Jon vjen paralel me vendosmërinë e Greqisë dhe Turqisë për të rifilluar bisedimet teknike.

Një takim i grupeve të ekspertëve është parashikuar të zhvillohet në Stamboll më 25 janar.

Rajoni Lajme Greqi Greqi zgjerimi me 12 milje ceshtja detare

EMISIONET