Vendimi i Greqisë për zgjerimin me 12 milje në det dhe mbylljen e gjireve ka risjellë protestën e shoqërisë civile.

Në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë, aktivistët akuzuan për mungesë transparence, por dhe për mungesë të reagimit për të mbrojtur interesat e vendit.

“Duam të dimë nga qeveria shqiptare se çfarë është duke negociuar? Si i ke zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në qershor të 2010? Që me rezultatin 8-0 nulifikojë gjeografë të qeverive të mëparshme, ose zeroi çdo paudhësi të qeverive të mëparshme. Nga 2010 e sot ka fryrë një erë e re. Nuk vijmë këtu për t’ju hakërryer qeverisë shqiptare, as për të shitur dëngla se kush jemi, por për ti thënë që sot qytetarët shqiptarë nga tryezat shkencore që kanë bërë, kanë doktrinën dhe aftësinë që të ndihmojnë. Pse në Hagë dhe jo në Hamburg? Haga nuk ka kthim mbrapa, ndërsa Hamburgu të jep mundësinë të diskutosh. Megjithatë pse në Hagë dhe jo në Gjykatën Kushtetuese të vendit tonë? Më pas do të pyesim pse në Gjykatë Kushtetuese, kur më parë duhej të diskutohej në Parlament, duhet të mos anashkalosh presidentit, duhet të merrje në diskutim opozitën, sepse sado i gjatë të jetë kryeministri ynë, e besojmë që nuk është hajdut se hajdut 2 metra nuk ka. Në këtë kushte po i kërkojmë kryeministrit që të dëgjojë profesorët detarë“, ka thënë Guri.

Nuk munguan as thirrjet për të vazhduar edhe më tej protestat.

Pak ditë më parë Ministria e Jashtme e Greqisë bëri të ditur hyrjen në fuqi të dekretit të Presidentit për zgjerimin në det.

Menjëherë pas kësaj kryeministri Edi Rama ka theksuar se nuk ka pse të ketë reagim pasi çështja do të zgjidhet në gjykatën ndërkombëtare.