Kur jemi disa orë larg zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, analisti Ben Andoni, gjatë një interviste për gazetarin Xhoi Malësia në RTV Ora, u shpreh se lideri i Vetëvendosjes është shumë pranë postit të kryeministrit, ndërsa Vjosa Osmani do të vijojë të jetë në postin e presidentit.

Sipas Andonit, orientimi i publikut kosovar është orientimi i drejtë për të parë fuqinë e fundit politike e cila i ka bërë të besojnë.

Ben Andoni: Është e vetmja parti që ka drejtuar vetëm 50 ditë. Dhe është e vetmja parti që ka premtuar por nuk ka shkuar te premtimet e saj për shkak të kohëzgjatjes. Besoj se orientimi i publikut kosovar është orientimi i drejtë për të parë fuqinë e fundit politike e cila i ka bërë të besojnë. Problemi i madh, realisht, është sa zoti Albin do shkëputet nga disa thënie të ti përpara procesit zgjedhor. Qëndrimi ndaj Shqipërisë, problemin e dialogut, problemin me fqinjët etj etj. Sepse është ndryshe në momentin kur je në opozitë dhe e ke më të lehtë të atakosh dhe është shumë ndryshe kur je në qeveri.

Sa i përket kalkulimeve elektorale dhe dëshirës së Ramush Haradinaj për të qenë president i Kosovës, Adoni u shpreh:

Me çfarë shikoj, kalkulimet do të jenë më të vështira për tre postet kryesore. Pak a shumë në momentin që po flasim janë të ravizuara. Zoti Kurti është drejt kryeministrit, zonja Osmani besoj se mund të jetë presidente. Zoti Haradinaj, me gjithë dëshirën e madhe që ka, është i kontestuar. Është i kontestuar, të paktën nga faktori ndërkombëtar. Por mund të jetë shumë mirë kryetari i Kuvendit të ardhshëm”.

Xhoi Malësia: A ka një ngjashmëri me Alexis Tsipras dhe Syriza? Me rritje të jashtëzakonshme dhe premtime të forta…

Ben Andoni: Keni të drejtë. Por ajo erdhi në një kohë krize të jashtëzakonshme për Greqinë. Dhe në një vend me kulturë demokratike shumë më të madhe se Kosova. Ndërsa në thellësi, në Kosovë, nuk është se besohet shumë. E vetmja gjë që besohet nga kosovarët, me gjërat që ne mund të perceptojmë, është që të provojnë një fuqi të re, e cila ka premtuar, e cila përgatitet dhe ka thithur në strukturën e saj një nomenklaturë njerëzish profesionistë dhe problemi është sa do arrijë ta implementojë.