Qeveria do të ketë mundësi deri në dhjetor për të rritur pagat. Pas këtij afati ligji ndalon çdo mundësi deri në formimin e qeverisë së re. Por dhe bashkitë do të duhet të raportojnë në KQZ aktivitetet, të cilët nuk do të lejohen pa marrë lejen përkatëse. Tashmë dhe kuvendi ka hapur procedurat në përzgjedhjen e komisionit të ri.

Edhe pse kemi një datë të dekretuar nga Presidenti për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, vendi ende nuk e ka gati institucionin që duhet të merret me administrimin e tyre.

Me marrëveshjen e 5 qershorit, tashmë KQZ e re duhet të plotësohet me 12 anëtarë të rinj, por edhe pse kanë mbetur vetëm 11 ditë nga afati për të aplikuar, në Kuvendin e Shqipërisë janë dorëzuar vetëm 2 kërkesa.

Naim Mëçalla ka shprehur interesin për postin e Komisionerit, nënkomisionerit, anëtar në Rregullator dhe KAS.

Ndërsa kandidatja tjetër, Redinela Beqiraj ka aplikuar për një vend në Komisionin e Ankimimeve.

Për të kaluar të gjithë aplikantët në sitë, Kuvendi do të ngrejë të enjten e ardhshme komisionin e posaçëm parlamentar, ku nga PS do të jetë Damian Gjiknuri dhe 2 anëtarë të tjerë, nga opozita në parlament 2 deputetë si dhe PD do të përfaqësohet me një të dërguar të posaçëm.

Kryetari i Kuvendit u ka nisur kërkesë Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit që brenda 11 shtatorit të dorëzojnë emrin e përfaqësuesit të tyre në këtë komision.

E njëjta thirrje ju është bërë edhe 3 kryetarëve të grupeve parlamentare që ndodhen në Parlament që të emërojnë 2 deputetë që do t’i përfaqësojnë ata.

E gjitha kjo procedurë duhet të përfundojë me 19 tetor, ku 12 emrat e rinj duhet të zënë vendet e tyre në KQZ.

Burimet theksuan se ka një angazhim të forcave politike që KQZ-ja e re të mbyllet brenda këtij muaji, ndërsa qeveria dhe forcat politike duhet të respektojnë një mekanizëm te tere afatesh që duhen respektuar.

Risia e kodit zgjedhor nuk është vetëm KQZ-ja e re, po edhe instrumentet e parashikuara për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë.

Për herë të parë, qeveria  nuk mund të rrisë as paga e as pensione, nuk mund te kryeje amnisti apo privatizime pas datës 25 dhjetor, e kjo sanksionohet në nenin 91 pika 4 te kodit zgjedhor.

“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve.”

 Pas 25 dhjetorit qeveria, por dhe kryetarët e bashkive për çdo aktivitet publik, duhet të  raportojnë në KQZ, dhe është ky institucion që ka te drejte te ndaloje  zhvillimin e një aktiviteti nëse gjykon se behet për fushatë.

 “Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ-ja” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione.”

Me dekretimin e datës së zgjedhjeve është evidentuar edhe kalendari dhe afatet e procesit.

Partitë duhet te regjistrohen deri ne 14 shkurt për të marrë pjesë në zgjedhje, deri në 24 shkurt duhet të regjistrohen koalicionet dhe deri ne 6 mars partitë duhet të çojnë në KQZ listën me emrat e kandidateve për deputet.

E pa qartë mbetet mënyra se si do të votojnë shqiptarët në këtë proces, pasi ende nuk është përmbyllur diskutimi për listat e as për koalicionet parazgjedhore.