Në një intervistë ekskluzive për “Tempora” në RTV Ora, kryetari i AAK dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj zbuloi pritshmëritë e tij dhe të partisë qqë ai drejton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“Është një situatë e re në vend. Por edhe në planin personal dhe të Aleancës kemi një ndryshim në qasjen tonë. Në të kaluarën AAK ka garuar me kandidatin e saj për kryeministër, të themi me mandatarin, që kam pas nderin dy herë. Por këtë herë nuk garojmë me mandatarin për qeverinë por garojmë vetëm me presidentin e vendit për shkak se pas këtyre zgjedhjeve, në parlament zgjidhet edhe presidenti edhe qeveria.


Në këtë rast AAK oferton me kandidatin për president, që jam unë, por edhe me një program qeverisës që ka në fokusim ekonominë dhe sigurinë”,
u shpreh Haradinaj për “Tempora”.


Cilat janë ambiciet tuaja dhe projeksionet për këto zgjedhje?

Ramush Haradinaj: Ashtu siç thashë. Pas zgjedhjeve do të kërkohet një shumicë e madhe, nga 2/3-at. Për shkak se zgjedhja e presidentit kërkon kuorum prej 2/3-ve. Që do të thotë, do të kërkohet një marrëveshje me disa subjekte politike. Në këtë rast fituesin e zgjedhjeve dhe një, dy partnerë të tjerë.


AAK ka një objektiv real. Një grup parlamentar mbi 20 deputetë, që është një situatë reale për ne. Kemi patur 13 në zgjedhjet e kaluara. Kemi një gjendje të qëndrueshme dhe po punojmë në terren. Është një risi se në këto zgjedhje unë nuk jam në garë për kryetar qeverie, është një ndryshim i madh. Deri tani jam i vetmi kandidat për president dhe AAK është i vetmi subjekt me një kandidat për president.