Mema: PD ruajti traditën në fushatë. Rama zgjodhi një qasje ndryshe por...
E ftuar në emisionin "Ora e Betit" në "Ora News", gazetarja Enkelejda Mema komentoi mënyrën se si partitë kryesore kanë zgjedhur të hapin fushatat e tyre për zgjedhjet e 11 majit, duke bërë një krahasim mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
" PD e ruajti traditën. E hapi fushatën e saj elektorale tipikisht si në të shkuarën. Mblodhi mbështetësit në shesh, në podium, aty ku dhe lideri mban fjalën kryesore dhe në fakt kishte fjalën e tij dhe një ligjërim thellësisht politik.
Pra një rrugëtim të Partisë Demokratike sesi Partia Socialiste siç e akuzon Sali Berisha synoi ta zhbëj PD, tregoi gjithë rrugën sesi PD ia doli të kthehet në forcë kryesore dhe më pas gjithë angazhimin që ka PD për 11 majin.
Krejt ndryshe nga kryesocialisti Edi Rama që edhe në këto zgjedhje gjen një element për të sjell një fushatë ndryshe.
Në vendore të 2023 fushatën ai e hapi me mbjelljen e pemëve në oborrin para Bashkisë së Tiranës për të sjellë një risi ose për të bërë pak habi tek njerëzit.
Edhe këtë herë zgjodhi një fushatë që në formë ishte interesante, domethënë nuk ishte një fushatë që përshfaqte shpenzime të mëdha. Një fushatë e thjeshtë, kryesisht me mbështetësit e saj, me disa simbolika të yjeve, por në fjalë kryesocialisti nuk pati asgjë thellësisht politike", u shpreh Mema.