Kryeministri Edi Rama ka startuar për socialistët nisjen e sezonit të ri politik, të cilit ju referua si historik për nga rëndësia.

Ndërsa bashkë me grupin parlamentar janë drejt fundit të këtij mandati, shefi i qeverisë paralajmëroi deputetët e tij se asnjë nuk e ka ka vendin e sigurt për formacionin e ri që do të lëshojë në fushë për zgjedhjet 2021.

Rama: Troç fare: Deputet jemi në sallën e Kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot ne jemi thjesht kandidatë për deputetë që duhet ta fitojmë vendin në skuadër çdo ditë, pa pushim. Nëse unë personalisht për shkak të detyrës do të duhet të firmos në fund formacionin që do të dalë në fushë, le ta dëgjojnë të gjithë se kush nuk do të japë jo thjesht që gjithçka ka por gjithçka duhet për tu futur në atë formacion nuk do të jetë në formacion. Është shumë e qartë, askush tjetër përveç PS nuk e çon dot Shqipërinë përpara dhe PS është i vetmi emër që nuk vihet në diskutim.

Emrat e tjerë, duke filluar nga unë, shkojnë dhe vinë. Është e qartë se paaftësia dhe papërgjegjshmëria që rëndon e stimuluar nga ligësia e atyre që udhëheqin partitë e tjera nuk mund të jenë asnjë arsye për ta quajtur ndeshjen të fituar pa u zhvilluyar dhe aq më pak një arsye për të mos i vënë PS në dispozicion skuadrën më të mirë të këtyre 30 vjetëve në një betejë që në shumë aspekte është historike për Shqipërinë.Kjo nuk është bidja ime si kryetar i kësaj partie dhe si kryeministër i këtij vendi sot, por bindja ime si shqiptar që jam qytetar në këtë vend dhe prind, askush. Gjithëkush këtu e ka potencialin për të qenë pjesë e skuadrës 2021 por askush pa përjashtim nuk e ka sot të garantuar vendin në skuadër. Do ta fitojë përditë deri në fund pa ‘nëse’ dhe pa ‘por’.

Kjo kohë është e mjaftueshme vetëm për ti dhënë përgjigje çdo ditë, çdo deputet, çfarë do të bëj unë për PS sot? Koha për të pyetur çfarë do të bëjë PS për mua ka mbaruar motra dhe vëllezër. Është një sezon politik me një rëndësi të madhe jo për rezultatin e zgjedhjeve por një ristart me energji të reja të vetë organizimit të gjithë PS dhe është një sezon ku ne duke bërë çdo ditë atë që duhet për t’iu përgjigjur pas çdo dite konkretisht pyetjes “çfarë bëra unë sot për PS” do të vendosim pa kthim që Shqipëria do të vazhdojë kthesën e fortë dhe pa diskutim që me mandatin tonë të tretë Shqipëria do të jetë në mënyrë të pakthyeshme në një nivel tjetër.

Nga Elbasani, Rama foli për steriotipe dhe forcën e shembullit.

Rama: Çfarë mund të kërkojmë pas 7 vjetësh apo disa pas 3 vjetësh në pushtetin legjislativ apo ekzekutiv për të bërë 7 herë më shumë për këtë vend dhe njerëzit e këtij vendi nga sot dhe deri ditën që do të paraqitemi para tyre për të thënë se pse duhet të na votojnë me vetëbesim? Ka vetëm një gjë që duhet të kërkoni dhe do ta kërkoni pa pushim nga vetja: Llogari vetes. Jam po unë që neveris ata që deputetët i barazojnë me të keqen. Ata gabojnë. Unë jo thjesht se jam deputet si ju por ju njoh dhe e di shumë mirë se nuk e meritoni paragjykimin apo paragjykimet që ka krijuar steriotipin e shëmtuar të deputetit. Kush dhe si do ta godasë këtë steriotip përveç nesh, vetë deputetët? Askush. Ka vetëm një forcë goditëse, forca e shembullit.

Nuk preferoi të flasë me emra, por Rama tha se nuk janë të paktë ata deputetë në gruin e PS që duhen kërkuar me qiri.

Por kjo duket se është e pamjaftueshme, ndat detyra e secilit prej tyre është të bindë elektoratin e pakënaqur dhe të lëkundurit.

Rama: Sot nuk është dita për të folur me emra por shembujt i kemi në këtë grup parlamentar  dhe fatmirësisht nuk janë pak që duhet ti kërkojmë me qiri. Ama nuk mjaftojnë dhe kjo është sfida jonë, sfida e çdo deputeti këtu të bëhet çdo ditë forca e një shembulli që do të luftojë me ata kundërshtarët e padukshëm, me mërzinë e dikujt, zhgënjimin, lëkundjen, hatërmbetjen, padurimin, me të gjithë këtë terësi ndjesish të brendshme që janë kundërshtarët tanë realë, opozita jonë reale.

Rama tha se qeveria e tij në këtë mandat të dytë ka bërë gjithçka ka mundur, edhe pse u godit nga dy fatkeqësi njëra pas tjetrës, tërmeti dhe pandemia.Por nga ana tjetër ai e pranoi se ka firo në vota.

Rama: Unë nuk dyshoj që nëse do të votohej këtë të dielë ne do ti fitonim zgjedhjet, por nuk besoj se do ti rifitonim të gjithë zemrat e atyre që na kanë votuar apo të atyre që nuk na kanë votuar por nuk e votojnë dhe nuk kanë për ta votuar ndonjëherë atë forcë apo grup forcash që kemi përballë. Këtë të dielë ne do të merrnim më pak vota sesa meritojmë për punën që kemi bërë për Shqipërinë ndërsa ata do të merrnin më pak vota se kanë marrë 3 vjet më parë. Po pse do të merrnim më pak vota, nuk na kupton populli apo disa nuk do të dilnin në votime ngaqë ne e kemi fitoren në xhep? Asnjëra. Por sepse populli pret shumë më shumë nga ne dhe populli nuk pret asgjë nga ata dhe ka të drejtë.

Ndaj ai deklaroi se PS ka kohë të mjaftueshme për ta ristartuar kompjuterin nga e para.

Rama: Fatmirësisht ne kemi mjaftueshëm kohë për të treguar se vlejmë më shumë sesa i duket kujdo që pret më shumë, nuk ndjehet i ngrohtë në zemër dhe i lëkundur në mendje kur bën vlerësimin tonë. Kemi mjaftueshëm kohë për ti treguar dhe njëjri-tjetrit dhe familjes sonë politike sesa i duhemi për këtë skuadër kur të vijë dita e ndeshjes nga i pari tek i fundit si dhe për të plotësuar skuadrën me të tjerë tanimë që çdo kandidat në listë do të vlerësohet nga populli edhe si individ. Kur them nga i pari te i fundit them nga unë dhe deri tek i fundit në listë. Kemi mjaftueshëm kohë për ta ristartuar kompjuterin nga e para dhe për të nisur secili dhe secila në një start të barabartë në procesin e rikrijimit të skuadrës fituese duke ripërtërirë të gjitha fijet me anëtarët dhe anëtaret e familjes sonë politike në çdo cep të Shqipërisë, me komunitetet ku secili prej nesh është zgjedhur, me shoqërinë.

Lexo gjithashtu