Zbulohen dy pllaka përkujtimore në bazat e UÇK në Has

Më shumë se dy dekada më parë, shtëpia e Salih Jakut nga Hasi i Shqipërisë, nuk ishte vetëm e familjarëve Jaki.

 Ajo po shërbente si bazë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizata e Veteranëve te Luftës së UÇK-së ka zbuluar të shtunën pllakat përkujtimore të UÇK-së në fshatin Nikoliç të Hasit në Shqipëri dhe në fshatin Vlahen, në shtëpinë e Alush Gradicës.

Në këtë pllakë përkujtimore janë të skalitur të gjithë emrat e pjesëtarëve që kanë kaluar në këtë shtëpi, nga Luan e Ramush Haradinaj, tek Hashim Thaçi, Xhevë e Fehmi Lladrovci, e Bekim Berisha-Abeja.

Kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Has, Xhevdet Thaçi u ka kërkuar falje të gjithë familjarëve të anës së Hasit, që deri më tani, nuk kanë mundur të qesin në pah historinë e vërtetë.

Xhevdet Thaçi:Sot ne jemi mbledhur veç një kërkim falje për shpirtin e Salih Jakut dhe nënës Sabri që jemi vonuar në kohë për ta treguar të vërtetën dhe të del historia në shesh. Prandaj familjes Jaku veç i kërkojmë falje, por prej këtu fillon historia e vërtetë. Do të thotë 20 vjet kanë qenë me vlerë dhe janë abuzuar aq rëndë, janë vonuar për drejtësi. Për 20 vite ka qenë me vlerë por janë abuzuar rëndë. Respekt për të gjithë”.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se nuk do ndalen vetëm me shtëpinë e Jakut, derisa shtoi se kjo shtëpi ka qenë dhe do të jetë pranë Kosovës dhe luftëtarëve të popullit.

Hysni Gucati: Ne si organizatë do të vazhdojmë me këtë punë ku ka filluar edhe Shtabi i Përgjithshëm në krye me Kadri Veselin, me Hashim Thaçin dhe me gjithë të tjerët, anëtarët e tjerë, që kanë dhënë në këtë shtëpi për celulat e parë të UÇK-së. Ne kemi filluar këtu në këtë shtëpi të vendosim një pllakë për hir të punës, veprës që kjo shtëpi ka bërë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe para luftës ku kanë qenë edhe celulat e para në këtë shtëpi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, tha se Hasi gjithmonë ka qenë i besës dhe i bukës, ndërsa ka kujtuar edhe qëndrimin e tij në shtëpinë e Salih Jakut

Kadri Veseli: Ky ka qenë Hasi i besës dhe Hasi i bukës, Hasi i cili ka qenë porta e lirisë. I ka mbajtur të gjithë luftëtarët e UÇK-së në të gjitha trojet shqiptare nga gjithë rruzulli tokësor kur kanë ardhur në luftë për çlirimin e vendit të vet. I shihni këto dyer, kanë kaluar shumë gra e burra të Kosovës të cilët kanë qenë shume të fuqishëm. Unë vetëm e përmendi një moment në vitin 1998 ka qenë marsi, ishte nusja e shtëpisë, gruaja e Besnikut kur jemi nisur për rrugë, Xheva heroina e kombit e dorëzon unazën thotë tash martohem me lirinë.

Përparim Jaku, djali i të zotit të shtëpisë, Salih Jaku duke kujtuar ditët kur luftëtarët e lirisë shkonin në shtëpinë e tij si studentë, por që në çantat e tyre nuk kishte vetëm libra.

“Buka dhe pritja që kanë bërë prindërit e mi dhe familjarët e mi e kanë bërë duke menduar që shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Unë si student jam njoftuar me Kadri Veselin, ka qenë gjenerata e parë e studentëve që mbyllën Prishtinën dhe erdhën në Tiranë, jam njohur dhe kam bashkëpunuar me komandantin legjendar, Adem Jashari, me Luan Haradinajn edhe me shumë e shumë të tjerë. Studentët kur vinin, llimisht vinin me çanta dhe familjarët e mi nuk e dinin se në ato çanta nuk kanë vetëm libra. Më vonë mosha e studentëve u rrit dhe unë e mbaj mend kur baba im e pyeti ‘po këta studentët janë?’ ‘Jo, këta janë luftëtarë lirie që kanë marrë përsipër të mbrojnë trojet e veta”, u shpreh Jaku.

Vendi Rajoni Lajme Kosovë Aktualitet uck pllaka perkujtimore has

EMISIONET