Plot 26 persona kanë rënë preh e mashtrimit nga një grup të rinjsh të cilët duke ndërhyrë në rrjetet sociale arritën të përfitonin shumën prej 38 mijë eurosh. Të gjithë të mashtruarit janë emigrantë shqiptarë në Angli, ku ju kërkohej nga 500 deri në 1000 paund. Skema është denoncuar nga një emigrant nga Hasi që jeton në Angli, pasi grupi i kishte kërkuar para për herë të dytë.

Preh e mashtrimit të grupit të kryesuar nga 30-vjeçari Erenik Peka, kanë rënë plot 26 persona emigrantë në Angli. Skema e mashtrimit ishte mirë menduar pasi nëpërmjet programeve kompjuterike ata hynin në profile personale dhe komunikonin me familjarë. Ata komunikonin me të afërmit e profileve të hakuara, duke i kërkuar shuma parash, nga 500-1000 paund dhe euro.

Atyre u kërkoheshin paratë me pretendimet se kanë familjarë të sëmurë, kredi të paguar pasi paratë i kanë lënë në bixhoz. Atyre u thuhej që paratë do tua kthenin pasi të vinin në Shqipëri. Pasi emigrantët bënin pagesën, anëtarët e grupit dërgonin familjarët por dhe persona të njohur për të tërhequr lekët. Kjo metodë është përdorur nga drejtuesit e grupit me pretendimin se kanë tërhequr para në mënyrë të përsëritur dhe nuk tërhiqnin dot prandaj duhej ti tërhiqte dikush tjetër.

26 personat janë mashtruar në një rast, ndërsa kërkesa e parave për herë të dytë ka zbuluar mashtrimin që këta të rinj kryenin. Hetimet kanë nisur pas denoncimit të një emigranti në Angli nga Hasi, të cilit i janë kërkuar para për herë të dytë. Më pas ai ka komunikuar nëpërmjet telefonit me familjarin e tij, i cili i është shprehur se në asnjë rast nuk i ka kërkuar para. Më pas rasti është referuar në polici, dhe pas disa muajsh hetime grupi u godit nga blutë.

Mes të arrestuarve janë dhe persona që nuk kanë lidhje me grupin por që kanë kryer tërheqjen e parave. 9 te ndaluarit do të dalin para gjykatës ditën e enjte, ndërkohë vijon të jetë në kërkim dhe një 21 vjeçar si pjesëtar i kësaj skeme mashtrimi.

Burime nga policia, bëjnë te ditur se grupi hiqej si persona të cilët i njihnin, por edhe pse i gjithë mashtrimi zhvillohej ne rrjetet sociale, policia ende nuk ka mundur të zbulojë metodën e përdorur nga grupi i mashtruesve pasi gjithë bisedat me personat e mashtruar, nuk u shkonin personave të cilëve të mashtruarit ju dërgonin shumat monetare.

Lexo edhe: Tiranë, përfituan 38 mijë euro përmes mashtrimeve në Facebook, arrestohen 9 persona