Në një lidhje telefonike me Ora News, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se pala shqiptare po bën të pamundurën në lidhje me situatën në Kakavijë.

Xhaçka u shpreh se ka komunikim me palën greke dhe po shqyrtohen kërkesat për zgjatjen e kohës së punës dhe rritjen e kapaciteteve të tamponëve.

Olta Xhaçka: Situata është e rënduar, radha është vërtetë e gjatë. Duke shtuar edhe motin situata bëhet akoma më e rëndë për qytetarët. Kjo ngutje për të udhëtuar drejt Greqisë ka ardhur për shkak të disa kufizimeve të reja që fillon nga data 17 gusht. Nuk është një vendim kufizues ky i Greqisë, pro për të gjitha vendet tjera, në raport me sigurinë nga pandemia.

Ne po bëjmë maksimumin, jo për të ndryshuar rregullat e palët greke, por për të krijuar disa lehtësi që do ta lehtësojnë kalimin e qytetarëve në kufi. Kjo është ajo që po bëjmë. Ne jemi përfshirë me emergjencat civile, por kjo nuk është një situatë e krijuar nga ne, por nga vetë qytetarët. Kjo situatë rrit edhe premisat për t’u infektuar duke ndenjur në grupe bashkë, apo duke mos pasur mundësi për të kryer ato nevojat bazike.

Xhaçka shtoi se kërkesat për rritje tamponësh dhe zgjatje orari të punës nga pala greke po shqyrtohen nga fqinji ynë dhe sipas saj, pritet të gjendet një zgjidhje.

Është një situatë për të cilën vetëm mund të menaxhojmë pasojat, pasi nuk i diktojmë dot palës greke se çfarë duhet të bëjë. Ajo që mund ta them me optimizëm, është se kemi pasur komunikim në të gjitha nivelet në të dyja vendet, për të rritur kapacitet e testimeve dhe tamponëve, sepse tamponët kanë ndikuar në radhë. Po ashtu edhe për zgjatjen e kohës së punës në kufi nga pala greke. Këto dy kërkesa po shqyrtohen dhe janë trajtuar me një predispozicion shumë pozitiv nga pala greke dhe shpresojmë që do të gjendet në zgjidhje.   

Intervestoi Leftion Peristeri, përgatiti A. Kurti