Pas disa ditësh ku situata në pikën kufitare të Kakavijës paraqitej tepër e rënduar, më në fund u arrit marrëveshja me palën greke, ku dogana do të jetë e hapur gjatë gjithë natës së sotme.

Në një lidhje telefonike për ‘Ora News’, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, tha se kjo është një zhvillim pozitiv, dhe se ishte një nga kërkesat e bëra prej ditësh palës greke.

Xhaçka the se do të ndiqet ritmi i procesit nga afër, për të parë nëse ky vendim do e zgjidhë situatën.

Olta Xhaçka: ”Është një zhvillim vërtet pozitiv. Është një nga kërkesat që kemi disa ditë që ja bëjmë palës greke, por për arsye të shtimit të kapaciteve njerëzore, por dhe tamponëve, ka qenë pothuajse e pamundur, Fatmirësisht kemi arritur që ta sigurojmë këtë natë të fundit përpara se të hyjë në fuqi, regjimi i masave që fillon nga nesër. Kjo do të thotë që më shumë qytetarë shqiptarë do kenë mundësi të kalojnë, por edhe ne do jemi në gatishmëri pranë tyre gjatë natës, edhe duke ndjekur ritmet e procesimit në kufi, për të parë se sa e zgjidh situatën ky vendim.  Nëse nuk do të jetë e mjaftueshme, do mundohemi t’ua bëjmë të ditur qytetarëve sa më shpejt të ditur, që të mos qëndrojnë në rradhë pa kaluar kufirin.”

Minsitrja u shpreh se do bëhen përllogaritje për të kuptuar se sa makina e njerëz do kalojnë deri nesër në orët e para të mëngjesit.

Olta Xhaçka: ”Pjesa më e madhe e qytetarëve u janë nënshtruar kësaj sakrifice me shpresën se do të kalojnë. Fatmirësisht kemi parë një procesim më të lartë të qytetarëve në doganë se dje dhe pardje, dhe kjo është pozitive. Ne bëjmë përllogaritjet për të kuptuar deri në orët e para të mëngjesit, se sa makina dhe qytetarë do kenë mundësi të kalojnë, për t’ua bërë të ditur të tjerëve kohë përpara për të mos rrezikuar që të rrin gjithë natën pa kaluar kufirin.”

Lexoni të gjitha lajmet për sfilitjet e shqiptarëve në Kakavijë