Çështja e Asociacionit të Komunave Serbe dhe marrëveshja Kosovë-Serbi mbeten tema e ditës në politikën kosovare. Nga radhët e “Vetëvendosjes” shprehen se i druhen një dorëzimi të mundshëm të kryeqeveritarit Avdullah Hoti që do rezultonte në dëm të shtetit kosovar.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, deklaroi këtë javë se nuk ka për të pasur një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa Asociacionin e Komunave Serbe.

Asociacioni prej javësh ka krijuar një ngërç në dialogun dypalësh, të cilin kryeministri Avdullah Hoti ka propozuar ta zgjidhë me kushtin që në tryeza të flitet tashmë për njohjen reciproke.

Opozita politike në Kosovë ka dyshime se Hoti do të tërhiqet, ndërsa formën e vjetër të kësaj njësie speciale lokale me kompetenca ekzekutive, e konsideron të papranueshme bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2015.

“E para punës zotëri Hoti nuk është një njëri që nuk i ka ndryshuar qëndrimet e tij. Kemi parë jo nga muaji në muaj, por nga dita në ditë ndryshim të deklaratave… është një temë e mbyllur dhe të themi të drejtën vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje është temë e mbyllur.”

Arbërie Nagavci është pjesë e kryesisë së “Lëvizjes Vetëvendosje” dhe nënkryetare parlamenti.

Ajo i sheh me shqetësim deklaratat e diplomatit sllovak Lajçak se në bisedat me aktorët politikë në Prishtinë ai gjeti pajtim për Asociacionin apo se duhet ndryshuar Kushtetuta, pasi një temë e tillë nuk u shtrua në tryezat me “Vetëvendosjen”, por Nagavci rezervat i ka edhe për qeverinë.

“Në këto rrethana është e qartë se nuk mund të kemi një marrëveshje të mirë për Kosovën. … këta kanë ardhur në pushtet duke tentuar të shtyjnë përpara projekte të cilat presidenti Thaçi tashmë i ka negociuar me presidentin Vuçiq.”

Nagavci ngarkon demokratët e Kadri Veselit si përgjegjës pse ata nuk po munden mund ta rrëzojnë qeverinë Hoti në parlament që prej muajit gusht.

Sipas saj, PDK-ja po luan në prapaskenë me pushtetin dhe nuk e përkrah mocionin e mosbesimit.

 “Partia tjetër opozitare ndryshe i ka deklarata e ndryshe veprimet. Ndonëse janë parti opozitare dhe kanë vërejtje për qeverinë Hoti ata nuk janë të gatshëm që të dërgojnë këtë qeveri në shtëpi.”