Ministri i punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vullin, konfirmoi të dielën se Presidenti Vučić është përgjuar dhe për këtë ka nisur një hetim i hollësishëm.

“Ne do ta gjejmë të vërtetën dhe autoritetet gjygjësore do të bëjnë punën e tyre. Na takon neve të konfirmojmë që Presidenti ishte përgjuar dhe të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më. Është shumë herët të flasim se për çfarë qëllimi është përgjuar, por është e sigurt që nuk është bërë për qëllime të mira,” tha Vullin.

Vučić tha se ai është përgjuar për një kohë të gjatë, gati një vit e gjysmë dhe kishte prova për këtë duke hedhur edhe spekulime se kush fshihej pas kësaj.

Vullin thotë se Presidenti nuk e tha këtë për marketing politik , por sepse ishte e vërtetë dhe duhej konfirmuar nga autoritetet. Ai është i sigurt  se kjo çështje serioze, jo vetëm ndaj Presidentit por edhe ndaj shtetit është pasojë e vendosmërisë së Vučić për të luftuar mafien.


“Qëllimi është të prishë sistemin e sigurisë rreth presidentit, të sjellë konfuzion, të prishë reputacionin e tij, mbi të gjitha në botë. Presidenti i Republikës mund të përgjohet vetëm nga një aparat i veçantë brenda policisë ose nga policia ushtarake. Vetëm ata janë trajnuar për këtë. Në vendin tonë, ka pjesë të strukturave të sigurisë, të cilat janë nga ish-regjimi dhe janë kundër politikës aktuale. Ishte e qartë kur Vuçiç erdhi në pushtet që elementë të tillë do të punonin për të dëmtuar reputacionin e tij, duke filluar sulmet ndaj vëllait, djalit, familjes “, raporton Novosti.

Spasic, ish-operativ i sigurimit të shtetit tha që informacioni që fitoni nëse përgjoni presidentin mund t’i dorëzohet disa shërbimeve të huaja, opozitës, mafies. Kjo rrezikon jo vetëm kreun e shtetit, por të gjithë sistemin e sigurisë së vendit.