I dërguar special i ShBA-së në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell e ka përgënjeshtruar ofrimin e një dokumenti ndaj Vuçiç për njohjen e Kosovës.

Grenell shkruan në Twitter se lajmi i publikuar nga The Pavlovic Today nuk është i vërtetë.

Ndërkohë, gazeta The Pavlovic Today bëri me dije më herët duke iu referuar burimeve pranë presidencës serbe se presidenti Vuçiç është prezantuar sot në bisedimet Serbi-Kosovë në Shtëpinë e Bardhë me dokumentin me të cilin supozohet se do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas The Pavlovic Today, në një kthesë të papritur të ngjarjeve në dialogun Kosovë-Serbi, delegacioni serb u prezantua në fillim të takimit me dokumentin që përmban gjashtëmbëdhjetë artikuj.

Sipas kësaj gazete, disa pika kishin të bëjnë me çështjet ekonomike, por pika nr. 10 në listë kishte të bënte me një marrëveshje të ndërsjellë, ku Serbia duhet të njihte zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.