Serbia kërkon t’i zgjidhë me kompromis mosmarrëveshjet me Kosovën por detyrimi për të pranuar që në fillim pavarësinë e shtetit kosovar do të ishte poshtërim i vendit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është plotësisht i përkushtuar që Serbia të arrijë kompromis për çështjen e Kosovës, por jo zgjidhje poshtëruese për vendin e tij.

Kreu i shtetit iu drejtua të mërkurën mbrëma Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke adresuar prej fillimit marrëveshjen e ndërmjetësuar së fundmi në Uashington.

Vuçiç tha se Serbia po pengohet në ruajtjen e integritetit të vet territorial, duke u shprehur edhe një herë kundër pavarësisë së asaj që ai e quan provinca autonome serbe e Kosovës.

“Në nuk mundemi kurrsesi të pranojmë diçka pa kompromis, dhe me këtë nënkuptojmë që të dyja palët të dalin barabar të kënaqura dhe të pakënaqura. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe institucioneve të përkohshme në Prishtinë është zgjidhja e duhur, por ai nuk duhet të ketë si pikënisje poshtërimin dhe as pavarësinë e së ashtuquajturës Kosovë.”

Vuçiç vlerësoi rolin konstruktiv të dialogut dypalësh të ndërmjetësuar së fundmi në zyrat e Bashkimit Europian dhe më herët edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Në asamblenë e OKB-së me rastin e 75-vjetorit të saj, kryeshtetari serb shpalosi aspiratat e vendit të tij për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, por pa u ndarë nga aleatët e vet lindorë.

Rusinë dhe Kinën, Vuçiç i falënderoi edhe për ndihmën që i dhanë vendit në përballjen me pandeminë e kovidit-19.

“Ne e duam partneritetin me vendet perëndimore, si edhe intensifikimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në të njëjtën kohë, jemi krenarë për raportet tona të shkëlqyera me Federatën Ruse dhe Republikën Popullore të Kinës. Siç e shihni, ne nuk e fshehim këtë.”

Marrëdhëniet e mira me vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten gjithashtu në fokusin e Beogradit, me nisma si mini-Shengeni dhe kufiri i gjelbër që së shpejti pritet të përfshijnë edhe Kosovën.

Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është parashikuar të takohen sërish të hënën në Bruksel, por ky takim ende nuk është konfirmuar nga pala europiane pasi Prishtina mendohet se nuk është ende gati të bisedojë për çështjen e themelimit të asociacionit të komunave serbe.