Policia e Shkodrës ka zbuluar vendndodhjen e 25-vjeçarit Daniel Pepaj, i cili akuzohet se është autor i vrasjes së dy kushërinjve Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, për shkak të konfliktit për kanabisin.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Ora News se, i riu është lokalizuar në periferi të Podgoricës në Mal të Zi, ku po qëndron pasi u arratis menjëherë pas krimit.

Hetuesit kanë bindjen se 25-vjeçari Pepaj është i armatosur, prandaj kanë nisur negociatat për dorëzimin e tij.

Policia ka kontaktuar me familjarët për të bërë të mundur dorëzimin pranë autoriteteve, me qëllim përballjen me drejtësinë, por dhe zbardhjen e detajeve të paqarta lidhur me ngjarjen, siç është dhe fenomeni i kultivimit të kanabisit në zonën sipër fshatit Vrith.

Gjatë kërkimeve për trupat e dy të rinjve që mbetën të vrarë, policia zbuloi dhe dy parcela të tjera me rreth 50 rrënjë kanabis. Pak metra nga këto dy parcela është konstatuar dhe një kasolle, me kanabis të tharë dhe të djegur, që dyshohet se është asgjësuar nga 25-vjeçari Pepaj para se të arratisej.

Policia ende nuk e ka gjetur armën e përdorur nga i riu për ekzekutimin e 2 kushërinjve ndërkohw të dielën gjykata e Shkodrës la në burg babain e Danielit, Rrok Pepajn, i cili u arrestua për ngjarjen si person në dijeni për parcelat me kanabis.

Në katër vitet e fundit policia ka regjistruar disa vrasje për shkak të konflikteve për kanabisin në vend.

Besnik Podjas i vrarë në Tiranë, Gjok Arra në Shkodër, Eridjan Pashaj në Këlcyrë dhe Altin Llani në Tepelenë.

Më pas gjatë vitit 2017 është vrarë Fatjon Sinai në Vlorë dhe një vit më parë Kejsi Hysa në Fushë-Krujë.

Për këto ngjarje policia zyrtarisht ka deklaruar se kanë ndodhur për konflikte të ndryshe, por hetimet më pas kanë zbuluar se  shkak ka qenë aktiviteti i lidhur me kanabisin.

Vilson Çutaj e Klement Pepaj

/OraNews