31-vjeçari Tauland Gjikaj, por që njihej edhe me dy emra të tjerë, mbeti i vrarë mesditën e sotme në një atentat mafioz në mes të qytetit të Vlorës.

Viktima nuk ishte një emër i panjohur për organet ligjzbatuese në vend. Ai ka qenë dy herë i arrestuar dhe në të dyja rastet i ka shpëtuar burgut falë vendimeve të gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Herila Çela.

Lidhur me lirimin e djalit të ish-policit do të vinin edhe reagime të forta.

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë u bënë bashkë kundër vendimit të gjyqtares së Gjykatës së Vlorës, Herila Çela e cila la në “arrest shtëpie” Taulant Manaj, ose i njohur dhe me mbiemrin Beqiraj.

Beqiraj, aso kohe 28 vjeçar, ishte kapur me armë pa leje dhe ndonëse ishte një person përsëritës dhe i njohur për rrezikshmërinë kriminale në qytetin e Vlorës, gjyqtarja zëvendësoi  masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

” Ky vendim, në kufijtë e absurdit, ka vënë në pikëpyetje gjithë luftën dhe sakrificën e bërë deri më tani. Duke pasur besimin se vendimet e gjykatave nuk janë pronë apo interes vetëm i gjyqtarit që jep vendimin, gjejmë rastin të denoncojmë me forcë dhe publikisht historikun e një të personi të arrestuar 2 herë brenda pak muajve për vepra të rënda penale dhe i lënë më pas në masën “Arrest shtëpie”, megjithëse herën e dytë kishte thyer këtë masë dhe u kap me armë në makinë”, do të shprehej zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari në një deklaratë për median. 

Si arrestohej dhe lirohej Taulant Manaj

Më datë 27.02.2017,  arrestohet në flagrance Tauland Manaj (Taulant Beqiraj), 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municionit”. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me Vendimin Nr. 61 datë 02.03.2018 caktoi masën e sigurisë “Arrest ne burg”, për shtetasin Taulant Manaj.

27 shkurt 2018 pati një përplasje me armë mes disa të rinjve në Vlorë ku të plagosur mbetën shtetasit: Gazmir Canaj, 27-vjeç Taulant Beqiri. 28-vjeç dhe Elis Llanaj. 27-vjeç

Me Vendimin Nr.979 datë 28.03.2018, Gjykata e Apelit Vlorë ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest ne burg”, ne masën e sigurisë “ Arrest në shtëpi “ për shtetasin Taulant Manaj.

Tre muaj më pas, më datë 23.06.2018, u bë serish arrestimi në flagrancë Taulant  Manaj (Beqiraj) i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, shpërthyese dhe i municioneve“ dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve “.

Me Vendim Nr. 1416 date 06.08.2018, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka vendosur zëvendësimin e masës se sigurimit personal “ Arrest në burg” me masën e sigurisë “ Arrest në shtëpi”, për një person përsëritës dhe të njohur për rrezikshmërinë kriminale në qytetin e Vlorës.

KLD kërkoi shkarkimin e gjyqtares

Ministria e Drejtësisë i kërkoi Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares së Vlorës Herila Çela

“Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares” , shprehej asokohe zv.ministri i Drejtesise, Toni Gogu.

“Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi. Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin – gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë.”

Lexo edhe:

“Me kallash në makinë”/ Vrasja në Vlorë, ja kush është 44-vjeçari i arrestuar

Për vrasjen e 31-vjeçarit policia e Vlorës arrestohet 44-vjeçarin Hansi Jonuzi, ndërsa në makinën tip “Ford” u gjet edhe një armë kallnashnikov, e dyshuar si arma e përdorur në krim.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e një tjetër personi, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin e vrasjes.

/a.r,OraNews