Vrasja e shkencëtarit të programit bërthamor, Irani: Izraeli na sulmoi me satelit

Vrasja e shkencëtarit të programit bërthamor, Irani: Izraeli na

Irani ka përcjellë në banesën e fundit shkencëtarin kryesor të programit të vet bërthamor, që mendohet se u ekzekutua nga Izraeli me anë të një sulmi të koordinuar me aktorë të brendshëm.

Irani beson se Izraeli dhe një organizatë opozitare vendëse janë koordinuar për vrasjen e një prej shkencëtarëve më të rëndësishëm iranianë i cili po ideonte programin bërthamor të Teheranit.

Ceremonia e varrimit të Mohsen Fakrizadehut u mbajt të hënën në praninë e zyrtarëve të lartë të republikës islamike.

Ai u ekzekutua të premten e shkuar në një atentat që mendohet se parapriu me shpërthimin e një fuoristrade në rrugën ku Fakrizadehu po lëvizte me makinën e tij të blinduar.

Me të dalë nga automjeti, ai u qëllua me një breshëri plumbash që i morën jetën.

Sipas Këshillit Suprem për Sigurinë e Iranit, operacioni ishte më i sofistikuar se kaq.

Armët që u shkrehën mund të jenë komanduar në distancë, me gjasë nëpërmjet satelitit, dhe se atentatorët nuk kanë qenë fizikisht prezentë në vendngjarje.

Sipas sekretarit të Këshillit, Ali Shamkani, nuk ka dyshim që operacioni u udhëhoq nga shërbimi informativ izraelit, Mosadi, në bashkërendim me organizatën antiqeveritare "Muxhahedin e-Kalk".

Izraeli besohet se po kërkonte ta eliminonte shkencëtarin iranian Fakrizadeh prej më shumë se 20 vitesh, ndërsa një dekadë më parë dyshohet se ndërmori edhe sulme ndaj pjesëtarëve të tjerë të programit sekret për armët bërthamore, që Irani e kishte ndërprerë në vitin 2003.

Emrin e Fakrizadehut dhe rrezikun që ai i kanoste rajonit e përmendi dy vite më parë edhe vetë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Teherani ka paralajmëruar hakmarrje për vrasjen e shkencëtarit ndërsa i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojnë sulmin si një akt terrorist.

Bota Lajme Lindje e Mesme izrael iran vrasja e shkenctarit

EMISIONET