Vrasja e mësuesit, policia bastis shtëpitë e radikalëve, Le Pen kërkon "ligj lufte" kundër islamizmit

Vrasja e mësuesit, policia bastis shtëpitë e radikalëve, Le

Policia franceze është ngritur në këmbë kundër elementëve islamikë radikalë që dyshohen si të përfshirë në nxitjen dhe vrasjen e mësuesit të ndjerë Samuel Paty. Mbi 80 vetë po merren në pyetje, ndërsa politikania e ekstremit të djathtë Marine Le Pen kërkoi të hënën shpalljen e "ligjit të luftës" kundër islamizmit.

Policia franceze bastisi shtëpitë e dhjetëra elementëve të dyshuar si radikalë islamikë pas sulmit terrorist ndaj mësuesit të ndjerë Samuel Paty, të cilit iu pre koka pak pasi kishte shfaqur në klasë karikatura të Profetit Muhamed.

Disa prej këtyre personave, shtëpitë e të cilëve u bastisën nga polica, po merren në pyetje pasi postuan mesazhe mbështetëse për vrasjen e mësuesit.

Qeveria gjithashtu lajmëroi se po heton 51 shoqata myslimane të Francës. Të hënën ministri i Brendshëm, Gerard Darmanin, paralajmëroi se disa prej këtyre shoqatave do të mbyllen. Ai shtoi se operacioni është një mesazh i qartë se “nuk do të hezitohet ndaj armiqve të republikës".

Ministri Darmanin shtoi se rreth 80 vetë po merren një pyetje nga policia. Disa prej tyre janë të lidhur me shoqatën “Bashkimi Kundër Islamofobisë”, për të cilën qeveria beson se shpërndan mesazhe kundër shtetit francez.

Kjo shoqatë thotë se mbron të drejtat e njeriut dhe lufton islamofobinë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara.

Mësuesi Paty u vra të premten në mbrëmje në periferi të Parisit. Një 18-vjeçar i lindur në Moskë e me origjinë çeçenë u vra pas sulmit nga policia. E ndërsa ngjarja terroriste ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur në protesta pro lirisë së shprehjes gjithë Francën, ka ndezur edhe politikën.

Politikania e ekstremit të djathtë, kryetare e partisë “Bashkimi Kombëtar”, Marine Le Pen kërkoi të hënën shpalljen e "ligjit të luftës" kundër islamizmit, i cili në sytë e saj është pjesë e një strategjie "republikane" të ripushtimi.

Bota Lajme Europa France vrasja e mesuesit radikalet islamike

EMISIONET