Gjykata e Elbasanit vendosi të mbajë të mbyllur në qeli babë Albert dhe Seit Mananhasa, të cilëve iu gjet në servis arma me të cilën u vra Emiljano Ramazani me 20 korrik.

Pas një seance që zgjati për gati 4 orë, ku ka shqyrtuar faktet e sjella nga prokuroria, gjyqtari Bujar Musta vendosi ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg.

Mbi ta rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”

Babë e bir, 64 dhe 37 vjeç u arrestuan gjatë një aksioni të Forcave RENEA në Peqin.

Në servisin e tyre, e fshehur poshtë një serbatori makine u gjet  Pistoleta model TT me të cilën u qëllua 5 herë 39 vjecari Ramazani.

Bashkë me ta u shoqëruan edhe disa persona të tjerë, që pas marrjes në pyetje u lanë të lirë, ndërsa pas daljes nga policia pretenduan se ata nuk kanë lidhje me krimin, dhe se armën në servis e kanë future persona të tjerë.

Ndërkohë në kuadër të hetimeve për zbardhjen e ekzekutimit, në policinë e Elbasanit u shoqërua mbrëmjen e së mërkurës një tjetër person i përfshirë.

Identiteti i tij nuk konfirmohet, por burimet thonë se ai është mik i  Seit Manahasës, dhe është filmuar nga një kamera sigurie teksa vendos pistoletën në vendin që u gjet nga forcat Speciale.

Dyshimet janë se Emiljano Ramazani u vra për hapje hesapesh mes grupeve kriminale për çështje droge