Vrasja në muajin tetor 2020 e Vilson Ccutaj dhe Klemend Pepaj në Malësi të Madhe të Shkodrës, ka një autor të vetëm dhe ai është, Danjel Pepaj, i cili nga momenti i kryerjes së krimit, u shpall në kërkim ndërkombëtar, duke mos u arrestuar ende dhe sot kur kanë kaluar gati 5 muaj.

Krimi i rëndë është provuar se ka ndodhur për shkak të konflikteve të drogës mes Vilson Ccutaj që kishte vetëm 4 muaj sa kishte dalë nga burgu, Klemend Pepaj dhe autorit të krimit, Danjel Pepaj. Prokuroria e Shkodrës, ka mbyllur hetimet për vrasjen e dyfishtë, duke çuar në gjyq babë e bir, ku ndaj Danjel Pepaj është ngritur akuza e “Vrasjes me paramendim” të kryer në dëm të dy personave, “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit” dhe “Kultivimit të lëndëve narkotike”.

Ndërsa babai i autorit të vrasjes së dyfishtë Rrok Pepaj, është marrë i pandehur vetëm për akuzën e “Kultivimit të lëndëve narkotike” dhe vijon të jetë në burg. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 2 tetor 2020 në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe,ku Klemend Pepaj dhe Vilson Çutaj, janë qëlluar pas shpine me armë zjarri kallashnikov, duke u lënë të vdekur shumë pranë një parcele të mbjellë me drogë.

Pas gjetjes së dy trupave të pajetë, u konstatuan se të dy viktimat janë qëlluar me nga një plumb pas shpine. Vilsoni është goditur me një plumb në kokë ndërsa Klementi, është qëlluar me një predhë në shpinë.

Nga këqyrja e kufomave u konstatua se viktimat janë qëlluar nga prapa-para, me plumba automatiku, në kokë dhe në shpinë në një distancë 4-5 metër larg. Autori pasi ka kryer vrasjen, ka djegur dy ambientet e pushimit kasolle dhe ambientin e tharjes së drogës, ku ka mbajtur sendet e tij dhe është larguar duke marrë me vete dhe armën e krimit. Nga hetimet e kryera, dyshohet se autorë të kultivimit të bimëve narkotike janë Danjel Pepaj dhe babai i tij Rrok Pepaj, dyshime këto të bazuara nga deklarimi i Olson Çutaj, i cili tregon se Rrok Pepaj i ka pohuar për vendin e kultivimit, tabulatet telefonike të personit të dyshuar, si edhe deklarimet e të afërmve të tij.”-thuhet në dokument.

Në raportin informativ thuhet se në vendin e ngjarjes policia gjeti dhe sekuestroi 2 gëzhoja automatiku kallashnikov, një fishek të paplasur dhe dy aparate telefoni që i përkasin dy viktimave. Disa copa plastmasi me ngjyrë të zezë, një top me tel, një top me fije fildispanjë me ngjyrë jeshile dhe një biçak. Gjithashtu nga kontrolli i këtij territori, jo shumë larg trupave të dy viktimave janë gjetur 2 parcela, ku njëra ishte vetëm me gropa të hapura por të pambjella, ndërsa në tjetrën kishte 29 bimë narkotike të mbjella, të rritura deri në 1.5 metër dhe pjesa tjetër me gropa pa bimë.