Policia ka identifikuar dy autorët e dyshuar të vrasjes së 33-vjeçarit Klevis Kapllani në Rrogozhinë, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Autorët lanë në vendngjarje një pistoletë, e cila ka ndihmuar hetuesit, të cilët mendojnë se prishja e pazareve të drogës mund të jetë pistë kryesore.

Policia e Kavajës ka identifikuar dy autorët e dyshuar të vrasjes së Klevis Kapllanit në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës.

Burime nga policia bëjnë me dije se nisur nga provat në vendin e ngjarjes por dhe dëshmitë e marra në dispozicion nga grupi hetimor kanë çuar në identifikimin e autorëve të dyshuar.

Prova më e fortë që policia ka marrë në dispozicion ka qenë arma e gjetur pranë makinës ku u vra Kapllani.

Pas ekspertizës mësohet se ka rezultuar që pistoleta tip “Glok” u kishte rënë autorëve gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje policia ka ndjekur pistën e vrasjes për larje hesapesh pasi viktima ishte i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike.

Hetuesit kanë dyshime se ky aktivitet është vazhduar edhe pas kryerjes së dënimit, në disa shteteve evropiane, si Italia apo Holanda.

Për grupin hetimor gjithashtu ka dyshime se viktima është përfshirë dhe në ngjarje kriminale, gjatë dy viteve të fundit, të regjistruara në Peqin apo Elbasan.

Ekspertët e policisë kanë sekuestruar gjithashtu dhe dy celularë të viktimës, të cilët pas këqyrjes pritet të zbulojnë më tepër të dhëna për sa i përket aktiviteti të viktimës.

Klevis Kapllani, i njohur ndryshe dhe me emrin Bledar, u ekzekutua mesnatën e të henes, 14 shtator, me të paktën 10 plumba, por viktima qëndroi i vrarë gjithë natën në automjetin e tij.

Ka qenë ora 6 e mëngjesit të së martes, 15 shtator, kur grumbulluesi i qumështit ka pikasur 33-vjeçarin e vrarë, dhe më pas ka njoftuar policinë. Autorët e kishin mirë-menduar vrasjen e tij, ku fillimisht i bllokuan rrugën me disa shkurre, ndërsa më pas i zunë pritë duke e lënë të vdekur në vend.