Në një seancë të jashtëzakonshme Parlamenti miratoir emërimin e dy ministrave të rinj të kabinetit Rama. Olta Xhaçka do të jetë ministre e Jashtme në vend të Edi Ramës, i cili u shkarkua me 95 vota. Ndërsa Niko Peleshi mori 94 vota pro për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes.

Socialistëve u është dashur të shkarkojnë Edi Ramën për të emëruar Olta Xhaçkën në detyrën e ministres së Punëve të Jashtme.

Me 95 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim mazhoranca në Kuvend votoi pro dekretit të firmosur nga Presidenti Meta për t’i hequr Kryeministrit kryesimin e diplomacisë.

Me po të njëjtin numër votash pro u votua edhe shkarkimi i Olta Xhaçkës si Ministre e Mbrojtjes, ndërsa me një votë më pak dhe 4 vota e kundër e 1 abstenim ajo u emërua Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Niko Peleshi tashmë do të mbajë detyrën e ministrit të Mbrojtjes me 94 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.

Një ndër votat kundër Xhaçkës dhe abstenim për Peleshin ishte ajo e Kujtim Gjuzit, i cili kërkoi me ngulm ta sqaronte.

Gjuzi: Vota ime kundër është për arsye se Edi Rama ka vendosur në këto momente si ministre të Jashtme, një njeri që ishte në marrëdhënie shumë të mira me aleatët tonë SHBA dhe NATO. Unë për këtë abstenova në konceptin që duhej të ishte ministre e Mbrojtjes.

Ka votë kundër. Zonja ministre e ka votën kundër sepse jemi në një moment që fqinjët tanë grekë duan të marrin zonën ekskluzive, atje kur del nafta. Edi Rama në këtë moment do të trysnojë ministren e re për të firmosur çështjen e detit. Ky ishte deklarimi im. Vota ime tjetër abstenim ishte për Peleshin, sepse ne e deshëm që të ishte kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.

Pa vonesë dy ministrat bënë edhe betimin në Presidencë, ndërsa të martën paradite ata marrin zyrtarisht detyrat.

Emërimi i dy ministrave të rinj u përshëndet nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili tha se do të vijojë bashkëpunimi për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian.

Sesioni i ri parlamentar do të çelet me 18 janar.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi mëngjesin e 31 dhjetorit Olta Xhaçkën dhe Niko Peleshin në postet e ministrave për Europën dhe Punët e Jashtme dhe të Mbrojtjes, raporton Ora News.

Ndryshimet në qeveri erdhën pas dorëheqjes së Gent Cakajt.