PD porosi degëve: Monitoroni ata që shantazhojnë administratën për vota

PD porosi degëve: Monitoroni ata që shantazhojnë

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dhënë 2 porosi degëve të PD për të monitoruar drejtorët dhe nëpunësit e PS që përfshihen në shantazhe për vota.

PD hedh dyshime se në administrata po shpërndahen formulare për të siguruar vota nga administrata me presion të paligjshëm, ose në të kundërt do të shkarkohen nga puna punonjësit përkatës.

''Të identifikojnë të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore që kanë shpërndarë një Formular të tillë apo që shantazhojnë punonjësit e tyre për qëllime politike/elektorale, si dhe të dokumentohen veprimet e paligjshme të çdo punonjësi të administratës shtetërore që angazhohet në veprimtari politike me qëllim elektoral'', thuhet në njoftimin e PD.

Bardhi u kërkon degëve të PD të identifikojnë drejtorët dhe nëpunësit që bëjnë presione dhe shantazhe për vota.

Njoftimi i plotë i Partisë Demokratike

Partia Demokratike nuk do të tolerojë asnjë lëvizje të PS, të cilën e konsideron shkelje të ligjit dhe barazisë në zgjedhje. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, u kërkoi të gjitha degëve të PD të identifikojnë dhe të monitorojnë çdo drejtor dhe çdo nëpunës që përfshihet në presionin e paligjshëm të administratës për të siguruar vota për PS.

Shkak për angazhimin e strukturës së PD  në të gjithë vendin është bërë shpërndarja në çdo institucion e një formulari përmes të cilit u kërkohet punonjësve të administratës shtetërore angazhim elektoral në favor të PS. PD thekson se atyre u kërkohet të dorëzojnë listat me emrat, adresat dhe numrin e kartës së identitetit, të 20-50 pesonave (sipas funksionit) që ata marrin përsipër të sjellin për të votuar për Partinë Socialiste, në të kundërt, ata shantazhohen me largim nga puna.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, e cilëson këtë “një skeme kriminale të përdorimit të administratës shtetërore nga PS për qëllime elektorale”, të dënueshme nga Kodi Penal, neni 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Duke paralajmëruar ndjekjen penale për çdo shkelës të ligjit, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka lënë 2 detyra për Shtabet Politike në të gjitha degët.

1. Të identifikojnë të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore që kanë shpërndarë një Formular të tillë apo që shantazhojnë punonjësit e tyre për qëllime politike/elektorale, si dhe të dokumentohen veprimet e paligjshme të çdo punonjësi të administratës shtetërore që angazhohet në veprimtari politike me qëllim elektoral. Për secilin prej tyre të dhënat të përcillen në Shtabin Qendror në PDSH për efekt dokumentimi dhe për përgatitjen e kallëzimeve penale në prokurori.

2. Të garantohen të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021.

Vendi Lajme zgjedhjet PD PS votat Aktualitet administrata

EMISIONET