Mandati i 60 kryebashkiakëve të Shqipërisë do të kalojë përmes argumenteve të kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi, koleges së vetme demokrate e cila paditi votimet e 30 qershorit në Gjykatën Kushtetuese.

Menjëherë pas bërjes funksionale të kësaj gjykate, kryebashkiakja e Shkodrës pret datën e ballafaqimit.

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, në cilësinë e paditëses  do të argumentojë para trupës së gjyqtarëve pse procesi ishte ilegjitim.

“Jam kontaktuar përmes një shkrese nga Gjykata Kushtetuese për marrjen në shqyrtim të çështjes dhe shpresoj që ky të jetë një vendim sa më i shpejtë, kuptohet, i duhur dhe i drejtë në të mirë të të gjithëve. Mendoj se kjo është sfida më e madhe e imja, mendoj e njerëzve, e demokracisë kur bëhet fjalë për një demokraci të vërtetë dhe një proces të nevojshëm për qytetarët.

Pavarësisht pozicionit, kryetarë, njerëz të thjeshtë apo biznesmenë sepse mendoj se kjo bën sensin e një jete të qetë në vendin tonë. Unë mendoj se kjo është sfida ime më e madhe politike”, shprehet për Ora News Voltana Ademi.

Rikandidimi ose jo i saj, pas vendimit të Kushtetuesse do të jetë një hap i mëvonshëm.

“Vendimet e mia janë publike. Merren në kohën e duhur”, shprehet kryebashkiakja e Shkodrës.

Ndërsa socialistët kanë nisur fushatën, duke promovuar projektin e ardhshëm për Shkodrën, kryebashkiakja demokrate ka vetëm një përgjigje.

“Vetëm hyrja e qytetit. Nuk ka asnjë projekt tjetër që unë, kryetare e Bashkisë Shkodër, të kem lexuar të qartë që vjen për Shkodrën”.

Në një intervistë për Ora News Voltana Ademi vuri në dukje jo pa krenari se mori edhe votat e socialistëve për ta drejtuar qytetin me planin e buxhetit për vitin 2021.