Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi ka shprehur kritika ndaj fjalës së kryeministrit ditën e djeshme (7 shtator) në parlament për përfaqësinë e grave lidhur me listat e hapura.

Përmes një postimi në Facebook ajo shprehet se Rama nuk mund të “fshihet pas fustanit të grave” për të refuzuar listat e hapura.

Postimi i plotë në Facebook:

Sa herë bëhet fjalë për të ruajtur pushtetin e tij, Edi Rama mashtron dhe fshihet pas fustanit të grave. Edi Rama as nuk i do listat e hapura, as ka hallin e grave deputete.

Në të vërtetë, ai i fyen gratë, kur thotë se ato duhet të jenë pjesë e listave të mbyllura, pasi nuk fitojnë dot vetë. Me garë të ndershme, ku Rama nuk përfshin kriminelët, nuk ble votën, nuk i kërcënon votuesit gratë kanë të gjitha mundësitë të jenë kandidatet më të votuara të qytetarëve.

Edi Rama sot nuk mund të fshihet pas fustanit të grave për të refuzuar listat e hapura. Po t’i mbështeste realisht gratë, nuk do të zhdukte me një të rënë të lapsit 2 gra kandidate për deputete në Lezhë për t’i hapur rrugën drejt parlamentit një krimineli të dënuar për prostitucion. Kandidateve gra të PS në Lezhë iu rrëmbyen fëmijët, iu kërcënuan familjarët, në mënyrë që Edi Rama të fuste kriminelin e vet në parlament.

Edi Rama nuk ka hallin e grave, kur këmbëngul që të ruajë lista të mbyllura për pjesën fituese të listave. Edi Rama ka hallin e vet se e di që s’e voton askush. Ka hallin e të besuarve të tij, që shqiptarët i njohin si simbole të korrupsionit, të cilët i ka venë të parët e qarqeve dhe e di se me lista të hapura nuk ia voton njeri.

Për të thënë të vërtetën deri në fund, Edi Rama as nuk i duron gratë. Në 22 vjet të karrierës së tij politike, ai i ka keqpërdorur të gjitha gratë që e kanë rrethuar për pushtetin e tij personal. Kemi parë live si i keqtrajton gratë e partisë së vet dhe gratë e tjera në parlament.

Sot, ka dalë zbuluar dhe fustani i grave nuk e fsheh dot frikën e Edi Ramës për humbjen së shpejti të pushtetit.

Në seancën e parë parlamentare, kryeministri Rama u shpreh sërish se nuk do të pranojë listat 100 përqind të hapura nëse nuk do të ketë një përfaqësim të denjë të deputeteve femra.