Panajaja prej vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe mungesën e investimeve. Në rubineta, uji shkon vetëm 1 orë por nuk mund të konsumohet për shkak të ndotjes që ka. Banorët shprehen se pavarësisht se nuk marrin shërbim faturat ju shkojnë dhe ata paguajnë afrofe.

Fshati i njohur në Vlorë për vreshtarinë dhe prodhimin e verës së kuqe prej më shumë se 30 vitesh vuan problematikën e mosfurnizimit me ujë të pijshëm.

Banorët shprehen se në rubinetat e tyre vjen 1 orë ujë vetëm në mbrëmje vonë gati afër mesnatës, por edhe ai nuk mund të konsumohet për tu pirë.

”Uji që ne paguajmë, është i papijshëm. Vjen 1 gjysëm ore apo 1 orë në 48 orë.”

Nisur nga kjo një herë në javë ata dalin me bidona në duar në anë të rrugës për ta blerë me lekë.

”Gomarin e zë frika të vijë nga kullota në shtëpi, se e di që e presin bidonat. Ujin e blejmë me lekë. E marrim 250 lekë të vjetra një bidon.”

Por paradoksi është se dhe pse me një orë ujë në ditë, ata paguajnë faturën afrofe që shkon gati 2 mijë lekë në muaj.

”Para paguajmë. 16 mijë është uji. Paguajmë edhe për ndriçimin, gjelbërimin.”

Në Panaja më parë kanë qënë mbi 350 familje ku shumica prej tyre larguar 10 vitet e fundit edhe për shkak të këtyre problematikave. Aktualisht aty jetojnë rreth 100 familje.