Vijon përplasja, FSHF: Bojkotojmë asamblenë e KOKSH

Vijon përplasja, FSHF: Bojkotojmë asamblenë e KOKSH

Prej kohësh Federata Shqiptare e Futbollit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar kanë përplasje në distancë por tani federata ka ndërmarrë hapa konkretë duke njoftuar mospjesëmarrjen në asamblenë zgjedhore të KOKSH pasi FSHF nuk do të ketë të drejtë vote. Sipas komunikatës së lëshuar nga FSHF, presidenti Duka e quan një akt të paprecedentë dhe një cënim të të drejtës themelore.

Më poshtë komunikata e FSHF dhe apeli që të bojkotohet kjo asamble edhe nga federata të tjera:

Deklaratë për shtyp e Federatës Shqiptare të Futbollit:

Federata Shqiptare e Futbollit u njoftua sot përmes një e-maili se nuk do te këtë të drejtën e votës në Asamblenë Zgjedhore te Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke u cenuar kështu nga një e drejtë themelore e çdo organizate me anëtarësi. Me këtë njoftim na u bë gjithashtu e ditur se kandidati i propozuar prej komunitetit të futbollit nuk do këtë të drejtën të zgjidhet. Ashtu si FSHF-së, edhe federatave të tjera u është mohuar kjo e drejtë.

Në listën e gjatë të vendimeve kundër interesave të sportit, ky është patjetër më i rëndi në historinë e këtij komiteti që vetëm olimpik e kombëtar nuk është. Me bindjen se zgjedhja e një presidenti është problemi i fundit që KOKSH ka, FSHF ju përgjigj dje kërkesës për mendim të zv/Presidentit dhe Kandidatit për President, Vojo Malo, duke propozuar shtyrjen e asamblesë zgjedhore të datës 17 prill me qëllim rregullimin e problemeve themelore të këtij institucioni që fillojnë dhe mbarojnë tek anëtarësia. Duke pasur axhendë tjetër, nën shembullin e partive politike, nga (nuk)-dihet-se-kush u vendos ndryshe, duke u injoruar edhe një herë qoftë kushtet higjienike, qoftë masat kufizuese të vendosura për shkak COVID-19.

Për qetësinë e organizatorëve, FSHF nuk do të marrë pjesë në këtë asamble dhe fton secilën federatë që ka sadopak ndërgjegje për çka po ndodh ta bojkotojë atë për shkak të veprimeve të panumërta antiligjore, që vijojnë të ndodhin e që do të vazhdojnë të jenë objekt i hetimeve gjyqësore.

Dëshirojmë sot të nënvizojmë se ndryshe nga çfarë u intereson organizatorëve të kësaj pengmarrjeje dhe bashkëpunëtorëve të tyre, kritikat dhe sugjerimet e FSHF nuk janë përpjekje për t’i marrë udhëtimet jashtë shtetit ndokujt, por besim i sinqertë se përmes diskutimeve të hapura e në dobi të sportit kjo organizatë do mund vërtet të fillojë një kapitull të ri të olimpizmit shqiptar. Por, kur asnjë përpjekje nuk kursehet për ta zbehur zërin e komunitetit më të madh të sportistëve në vend, kjo organizatë ka një problem serioz me të vërtetën dhe ka dështuar në përmbushjen detyrave për të cilat është themeluar.

FSHF nuk ka interes për të qenë pjesë e asnjë organizate, e cila nuk e dëshiron kontributin e saj aq më pak një organizate politike, ndaj do të diskutojë me anëtarët e vet nëse do vijojë të jetë pjesë e KOKSH.

Sport Lajme fshf Futboll deklarate per shtyp zgjedhjet ne koksh

EMISIONET