Videot denoncuese: Mjetet e rënda vijojnë derdhjen e mbetjeve urbane në Manzë

Videot denoncuese: Mjetet e rënda vijojnë derdhjen e mbetjeve urbane

Banorët e Manzës denoncuan me video të dërguara pranë 'Ora News' se zona vijon të përdoret për venddepozitimin e mbetjeve urbane, pavarësisht se disa javë më parë u tha se kriza e menaxhimit të mbetjeve në Durrës u zgjidh me dërgimin në Sharrë.

Dyshimet e tyre janë se mbetjet kanë ardhur nga qyteti, por ky pretendim nuk mund të provohet me këto pamje amatore, ndërsa reagimi nga institucionet mungon.

Me rikthimin e fenomenit pavarësisht protestave të vazhdueshme, edhe banorët kanë ndryshuar strategjinë e përballjes.

Të shtunën kanë bllokuar rrugën me këto blloqe masive betoni ku kanë shkruar edhe një mesazh të qartë për autoritetet.

''Jemi të detyruar që t'i nxjerrim vështirësi e pengesë, do ta mbrojmë me çdo kusht. E ka fituar tenderin për t'i çuar në SHarrë. Aty t'i çojë, e jo këtu sheshit.''

Banorët  thonë se depozitimi dhe djegia e mbetjeve aty u ka vështirësuar jetesën duke e kthyer zonën në një bombë ekologjike.

''U bënë 2-3 javë që po hedhin tonelata çdo ditë. Një herë në dy javë digjen.''

E ashtuquajtura kriza e mbetjeve në Bashkinë Durrës nisi në muajin qershor kur venddepozitimi i Porto Romanos u mbyll për tu shndërruar në një eko park.

Qyteti nuk u pastrua për disa ditë, ndërsa bashkia u detyrua të shpallë emergjencën mjedisore.

https://youtu.be/vvbgpoNA2fs


Vendi Lajme durres denoncimi Aktualitet manze vendngurmbullimi i mbetjeve

EMISIONET