E hëna solli dhe trafik të rënduar në Tiranë për shkak të punimeve në sheshin “Shqiponja”. Drejtuesit e automjeteve duhet të devijojnë qarkullimin, duke zgjedhur rrugë alternative për të hyrë e dalë nga kryeqyteti, por ato janë në gjendje të degraduar dhe të mbingarkuara nga trafiku edhe në ditë normale.

Prej të hënës, Tiranës iu shtua edhe një shkak më shumë për tu bllokuar nga trafiku.

Punimet në sheshin “Shqiponja” kanë bërë devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugët dytësore të zonës së Astirit.

Ky segment, veç hapësirës së ngushtë, është edhe në gjendje të degraduar.

Për drejtuesit e automjeteve, institucionet duhet të mendonin një zgjidhje më të mirë, pasi në këtë mënyrë kanë shkaktuar kaos me qarkullimin.

“Nuk e di pse ka zgjatu kaq shmë, na ka ikur mendja nga ky trafiku.”

“Të kishin marrë masa.”

“Na kanë mbytur në trafik, pluhur i madh se unë kam shtëpinë këtu. Shumë keq, katastrofë!”

Për kryetarin e qeverisë dhe për kryebashkiakun e Tiranës kanë vetëm një thirrje.

“Lali Eri, na çmende ore rob i çuditshëm!  Si do ja bëjmë, si do kalojmë orë burrë”? Është e përditshme, kemi katër orë në trafik përditë. Të gjejë zgjidhje alternative se ka çarë të gjitha rrugët.”

“Na mbytët! Rregullojeni, o Edi Rama! Rregulloje o Edi, rregulloje se na mbytët!”

Banorët e zonës me vështirësi kalojnë rrugën, pasi në një pjesë të tyre nuk ka as trotuar.

“Kalojmë me të sajuar.”

Kjo situatë do të jetë e njëjtë për aq kohë sa të mbarojnë punimet, qoftë në rrugën dytësore apo edhe në Unazën e Madhe.