Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndarë në faqen e saj në Facebook videon e 66-vjeçares nga Elbasani e cila ka shkuar në Spitalin COVID2 në gjendje të rëndë por fatmirësisht është shëruar dhe gëzon shëndet të mirë.

Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, 66-vjeçarja shpërthen në elozhe ndaj stafit të spitalit.

“Nëna ka ardhur këtu shumë e sëmurë, kam dy javë që ky staf i mrekullueshëm më ka ngritur në këmbë. Unë thërrisja një mjeke për të më bërë gjilpërën ndërsa ato vinin të gjitha. Nëna mos u mërzit se jemi neve më thonin. Ja ku erdhi momenti që unë të largohem me këmbët e mia”, shprehet 66-vjeçarja.

Ndërkohë nuk mungon as apeli i ministres për të respektuar masat anti-Covid.

“T’i ndihmojmë mjekët dhe infermierët në këtë luftë të pazakontë, të krijojmë së bashku aleancën  mbarë qytetare proshëndetit COVID19. Të përdorimin armët e vetme që ka sot në dorë çdokush”, shkruan Manastirliu.

Ditën e sotme u regjistrua edhe numri më i lartë i infektimeve që nga nisja e pandemisë, 489, ndërsa 6 qytetarë humbën jetën.