Interi me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve, pasi u mposht 0-2 në sfidën vendimtare ndaj Realit të Madridit në “San Siro” dhe mbeti në vendin e fundit në grup me dy pikë, ndërsa tani vetëm një mrekulli mund ta kualifikojë në fazën e 1/8-ave.

Ndonëse me mungesa të shumta si Ramos, Benzema e Valverde, madrilenët e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe fituan një 11-metërsh me Nachon në minutën e 7′, të cilën e ekzekutoi saktë Eden Hazard, duke kaluar në avantazh skuadrën e Zidane.

Inter vuan të reagojë, pasi miqtë qarkullojnë dendur dhe saktë topin, ndërsa gjithçka u komplikua në minutën e 33-të kur Arturo Vidal protestoi më ashpër se duhet pas pretendimeve për një penallti dhe anglezi Taylor e dërgoi në dhomat e zhveshjes.

Me një lojtar më pak, Conte ndryshon skemën në pjesën e dytë, duke kaluar në një 4-4-1, por shanset për të bërë diçka u venitën në minutën e 59′, kur pas një aksioni nga krahu, Rodrygo dërgoi për herë të dytë topin në rrjetën e portës së Handanoviç, ndërsa shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimēn finale.

Po në të njëjtin grup, Ajax triumfoi 3-1 ndaj danezëve të Midtjylland dhe tashmë do të luajë shanset e kualifikimit me Atalantën.

Nuk gabon as Bayern Mynich, që mposhti 3-1 austriakët e Salzburg dhe me 4 fitore në po kaq ndeshje, siguroi kualifikimin për në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Lewandowski, Wober autogol dhe Sane shënuan për kampionët në fuqi të Europës, për austriakët shënoi sërish sulmuesi me origjinë shqiptare, Mërgim Berisha.

Në të njëjtin grup, komplikon kualifikimin Atletico e Madridit, që nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj rusëve të Lokomotivës së Moskës. Ndërkohë Porto triumfoi 0-2 në transfertën franceze ndaj Marseille dhe tani është një hap larg kalimit në fazën e 1/8-ave.