Një nga masat e reja shtrënguese anti-Covid është moslejimi i grumbullimeve me më shumë se 10 persona, por në mjaft linja urbane, lokale e oborre shkollash situata është alarmante. Kamera e Rtv Ora vëzhgoi gjatë paradites së kësaj të mërkure zbatimin e rregullave të reja në kryeqytet, ku qytetarët i shkelin në masë ato.

Kjo është situata (shiko videon) një ditë pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për të mos lejuar grumbullimin e më shumë se 10 personave në ambiente të hapura dhe të mbyllura

Nga një vëzhgim i thjeshtë në Tiranë, duket qartë që më problematike është gjendja në urbane.

Mëngjeseve me vështirësi mbyllet dhe  dera e tyre.

Ankesat janë të shumta. Udhëtarët pohojnë se jo vetëm qe nuk ruhet distanca, por ka edhe probleme me higjienën.

“Mëngjeset nga Shkoza janë shumë të ngarkuara.”

“Situata në urbane ëahtë shumë alarmante, janë më shumë se 100 veta.”

“Po futen si sardele.”

“As nuk pastrohen dhe as nuk dizenfektohen.”

Qytetarët thonë se nuk janë dakord të mbyllet transporti publik, por të mbikqyret.

“Të marrin masa se mbyllja është shumë e keqe.”

Edhe jashtë shkollave grumbullimet nuk mungojnë.

Me rikthimin e nxënësve në klasa u raportua se do të kishte efektivë policie në çdo shkollë për të monitoruar masat, por sot të tillë nuk shihen.

Duket se jashtë vëmendjes së kontrolleve për zbatimin e masave janë lënë edhe lokalet. Në shumë raste, tavolinat nuk janë vendosur në distancën e 1.5 metër.

Papërgjegjshmëria e qytetarëve por edhe mosfunksionimi i kontrolleve vërehet edhe përpara institucioneve shtetërore.

Në radhë për një shërbim ose për një vërtetim, këta persona qëndrojnë pa marrë parasysh rrezikun e infeksionit.