Në një raport të publikuar nga grupi i shteteve të Këshillit të Europës, Vettingu në policinë e shtetit cilësohet si një proces i padobishëm dhe rrezikon të shkarkojë disa prej drejtuesve të lartë të kualifikuar.

Fran Rica drejtues i disa dikastereve në policinë e shtetit, aktualisht në profesionin e avokatit në një intervistë për RTV Ora u shpreh se ky ligj ka mangësi dhe është bërë me nxitim.

Fran Rica për RTV Ora: Unë e studiova raportin,të gjitha gjetjet mendoj se janë të drejta. Problematika e këtij ligji, duhet parë në dy aspekte. Në problematikat që ka vetë ligji dhe si është zbatuar ligji. Sot nuk ka një afat kur do të përfundojë ndërkohë që u konceptua si një Vetting që do bëhej si vlerësim kalimtar i punonjësve të policisë që do ishte për 12 muaj. Kjo bie ndesh dhe me përmbajtjen e ligjit. Ka mangësi është bërë pak me nxitim.

Ai tha se një nga problematikat është se ligji nuk parashikon lehtësi për ata punonjës policie të cilët kanë mungesë dokumentacioni jo për fajin e tyre.

Fran Rica për RTV Ora: Nëse krahasohet me vettingun për punonjësit e drejtësisë ai është më i plotë. Sepse krijon mundësinë nëse nuk gjejnë dokumentacion të ndryshëm për të justifikuar pasurinë ai ligj lejon që nëse sjell një vërtetim negativ nga institucionet përkatëse që nuk gjendet ky dokumentacion atëherë kjo merret në konsideratë. Në Vettingun e policisë nuk është parashikuar. Disa komisariate dhe institucione policie deri në vitin 1997 u dogjën nuk ka dokumentacion. Duke mos u gjendur dokumentacioni për listëpagesat e punonjësve të policisë për atë periudhë nuk iu njihen si të ardhura nga puna. Ky është rreziku që të skualifikohen punonjës të lartë  policisë jo për fajin e tyre por për fajin e institucioneve shtetërore që nuk kanë dokumentacionin ligjor si punëdhënës për të ardhurat që ata kanë siguruar në vite.

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online E.P