Vettingu në radhët e policisë i nisur një vit më parë ka vijuar me ritme të ngadalta, ndërsa Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka dhënë vendime të ndryshme për shkelje të njëjta të konstatuara për subjektet.

Rasti më i fundit është ai i drejtorit të analizës dhe kartotekës në SHCBA, Edmond Papa.

Ai u shkarkua dy javë më parë pasi u konstatua se ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit në vitet 1986-1990 me rol aktiv në rekrutimin e personave, si dhe nuk justifikonte të ardhurat e deklaruara nga viti 2004 deri në 2009.

Por Papa hodhi poshtë këtë zbulim të Komisionit duke dorëzuar një dokument ku thuhej se ai ka marrë kritika se nuk e kishte bërë siç duhej punën si pjesë e ish Sigurimit të Shtetit.

Më herët komisioni i jashtëm i vlerësimit konfirmoi në detyrë dy subjektet e tjera Artan Shkëmbi dhe Gjovalin Loka pavarësisht se gjatë procesit doli qartë dhe me dokumente se kanë qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit.

Për kriterin e aftësive profesionale, komisioni nuk arriti të gjente shkelje gjatë 35 viteve të Emond Papës në punë.

Pak javë më parë Partia Demokratike publikoi një listë prej 20 emrash të drejtuesve të policisë që kanë qenë pjesë e ish-sigurimit të shtetit, mes të cilëve edhe zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj.

Prej dy javësh seancat dëgjimore janë ndërprerë në komisionin e jashtëm të vlerësimit, ndërsa për 1 vit punë janë marrë në shqyrtim 26 drejtues të lartë të policisë. 20 prej tyre janë konfirmuar, 3 prej tyre janë shkarkuar, ndërsa për 3 të tjerë është ndërprerë procesi i vlerësimit, pasi kanë dhënë dorëheqjen nga policia e shtetit.

Nga vendimet e dhëna në kuadër të vettingut në polici, ajo që vërehet deri më tani është se janë shkarkuar vetëm drejtorët e SHCBA-së, të cilët janë Oltion Shehu, Edmond Papa dhe Arben Frashëri, ndërsa drejtuesit e Gardës dhe Policisë janë konfirmuar të gjithë pa përjashtim.