Koronavirusi dhe pasojat në gjendjen psikologjike të individëve, çfarë i shtyn pacientët me Covid të ndërmarrin aktin fatal duke i dhënë fund jetës në spitale?

Sociologu Gëzim Tushi në një lidhje direkte për RTV ORA,  shpjegoi arsyet që i shtyjnë njerëzit drejt vetëvrasjes.

Gëzim Tushi për RTV ORA: Unë jam partizan i tezës që këto vetëvrasjet që kanë ndodhur në ambientet e spitaleve, janë të lidhura sigurisht me mendimet degraduese dhe patogjene të virusit COVID-19 por dhe me faktin që ambientet spitalore nën diktatin e këtij virusi kanë problematikat e tyre. Unë mendoj që një pjesë e madhe të paktën këto pesë vetëvrasje spitalore që kemi dëgjuar nuk janë rezultat se ata kanë qenë njerëz me probleme të shëndetit mendor, përkundrazi ata kanë pasur probleme me rrethanat në të cilat ndodhen. Sociologët thonë se spitalet në këto momente janë ambientet më njerëzore por dhe më ç’njerëzore të mundshme. Trajtimi dhe rrethanat në këto spitale janë natyrisht të ndërlikuara. Kujdesi jashtëzakonisht i mirë i mjekëve dhe personelit mjekësor dhe i prapavijave në këto spitale në përgjithësi është i përqendruar vetëm  në misionin kryesor që ka të bëjë me shëndetin e njeriut, me luftën kundër patologjisë.

Ai tha se mjekët kanë detyrën e vështirë që përveç se të merren me fiziologjinë dhe patologjinë  e virusit të kujdese dhe për anën psikologjike të pacientëve

Gëzim Tushi për RTV ORA: Duke u ndodhur në rrethana të tilla ku po vdesin njerëz dhe nuk kanë vdekur pak, po afrohen te 800 veta që kanë vdekur në ambiente spitalore. Pra që të jesh në këto ambiente do të thotë që ka raste që njeriu mund të deprimohet. Problemi është të trajtimi human i pacientëve. Krijimi i një lidhje të caktuar, bluzat e bardha që janë shpëtimtare natyrisht nuk e kanë të lehtë që t’i luajnë të dy rolet pra i bie që të kërkojmë nga mjekët që të jenë dhe mjekë që të merren me fiziologjinë dhe patologjinë e virusit. Po të jenë dhe psikolog ose socio-psikolog që të merren dhe me anën shpirtërore dhe problematikat familjare që mund të ketë pacienti.

Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online E.P