Vetëvendosje reagon ashpër për "Detin": Micotaqis dhe Dendias nxorën zbuluar tentativën e Ramës për tradhti kombëtare, nuk do ta lejojmë

Vetëvendosje reagon ashpër për "Detin": Micotaqis dhe

Lëvizja Vetëvendosje me Qendër në Shqipëri ka reaguar lidhur me çështjen detare duke deklaruar se kryeministri Micotaqis dhe ministri Dendias  kanë nxjerrë zbuluar tentativën e Ramës për tradhti kombëtare.

Vetëvendosje i referohet deklaratave të kryeministrit grek në parlament me 25 tetor, ku deklaroi se Greqia do depozitojë një herë në OKB zgjerimin nga 6 në 12 milje detare (md) në Detin Jon, pastaj bashkë me Shqipërinë do t’i referohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në Hagë për të përcaktuar zonat ekskluzive ekonomike. Për këto ai tha se “ka një marrëveshje në parim me Shqipërinë”.

Dhe po dje Ministri i Jashtëm grek, Dendias, sqaroi të njëjtën gjë në një intervistë për gazetën “Real News”.

Sipas VV, këto dy deklarata nxjerrin zbuluar strategjinë ekspansioniste të Greqisë dhe kolaboracionizmin e Ramës.

"Theksojmë se marrëveshja në parim, për të cilën flet Micotaqis, paska një përmbajtje që është mbajtur e fshehtë për publikun shqiptar deri dje. Traktatet e fshehta janë jo vetëm të papranueshme por edhe të paligjshme sipas Nenit 102 të Kartës së OKB-së. Në këtë marrëveshje të fshehtë mes Qeverisë Rama dhe Qeverisë Micotaqis, nga deklaratat e këtij të fundit, po sqarohet se Shqipëria ka hequr dorë nga kontestimi i zgjerimit të Greqisë nga 6 në 12 md në Detin Jon. Ata shqiptarë që ende mendojnë se Greqia e ka të drejtën të zgjerohet nga 6 në 12 md në Detin Jon në bazë të Nenit 3 të Konventës mbi të Drejtën e Detit, ose nuk e njohin këtë Konventë dhe ligjin ndërkombëtar dhe janë hutuar nga propaganda e Qeverisë Rama, ose si Rama janë duke bërë lojën e Greqisë.

Të drejtën për zgjerim deri në 12 md shtetet anëtare të Konventës e gëzojnë vetëm nëse nuk ka konstestime nga shtete të tjera dhe nëse nuk prekin territoret detare dhe zonat ekonimike të shteteve të tjera. Kështu, në Nenin 7, paragrafi 6 i Konventës, përcaktohet se zgjerimi deri në 12 md i një shteti mund të bëhet nga një vijë bazë bregdetare vetëm nëse nuk e pret detin territorial ose Zonën Ekskluzive Ekonomike të një shtetit tjetër. Në këtë rast, zgjerimi i Greqisë nga 6 në 12 md në Detin Jon, përmes ishujve të saj, e pret edhe detin territorial edhe Zonën Ekskluzive Ekonomike që i takon Shqipërisë" thekson VV.

VV nënvizon se në aspektin e të drejtës ndërkombëtare zgjidhjet nuk mungojnë, por në fillim nevojitet të ndalet Qeveria Rama në këtë tentativë tradhtie.

Hapat për t'u ndërmarrë janë:

1. Shqipëria duhet të tërhiqet menjëherë nga çdo marrëveshje e fshehtë, e miratuar në parim ose jo, me Greqinë.

2. Shqipëria duhet të dorëzojë në nivel politik bilateral një notë protestë ndaj ekspansionit grabitqar të Greqisë për zgjerim nga 6 në 12 md në Detin Jon në kurriz të hapësirës detare shqiptare, duke e paralajmëruar Greqinë se do ta kontestojë këtë ekspansion sipas të gjitha instrumenteve të së drejtës ndëkombëtare.

3. Nëse Greqia nuk ndalet dhe e depoziton në OKB zgjerimin nga 6 në 12 md, atëherë Shqipëria duhet menjëherë të depozitojë në OKB kontenstimin zyrtar të këtij ekspansioni grek.

4. Shqipëria duhe të refuzojë që çështja më tej të trajtohet në GjND, aty ku i intereson Greqisë, dhe duhet të aktivizojë Aneksin 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit, duke e çuar Greqinë me detyrim në Arbitrazh. Përzgjedhja e Gjykatës në këtë rast përcakton edhe rezultatin. Ndryshe nga GjND-ja, ku nuk mund të shtrohen çësthje për të cilat palët nuk bien dakord paraprakisht, përmes Aneksit 5 të Konventës, Shqipëria gëzon të drejtën ta konstestojë në Gjykatë të Arbitrazhit ekspansionin grabitqar të Greqisë edhe nëse Greqia nuk pajtohet paraprakisht. Përmes Aneksit 5, Shqipëria gëzon të drejtën ta detyrojë Greqinë të zbatojë ligjin ndërkombëtar, dhe ky veprim është në përputhje me interesat kombëtare shqiptare.

Sipas VV, Ligji ndërkombëtar, në këtë rast, është në favor të interesave kombetare shqiptare, por ai po keqpërdoret qëllimisht nga Qeveria Rama.

"Nësë nuk veprojmë tani si shoqëri e si komb, kjo tentativë për tradhti e qeverisë Rama do të zyrtarizohet dhe do të humbasim me qindra milje territor detar shqiptar në Detin Jon. Këtë nuk do ta lejojmë" përfundon deklarata e VV-së.

Vendi Lajme Politikë vetevendosje çeshtja detare me Greqine

EMISIONET