Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Tiranë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në kompanitë e zotit Ylli Ndroqi pas sekuestros nga SPAK.

Për të mirën e secilit qytetar të Shqipërisë dhe për të mirën e punësuarve në kompanitë e sekuestruara, VV thotë se në rastin e sekuestrimit të pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi, gjatë kohës që ai është ende në procedura gjyqësore, është e rëndësishme të theksojmë tre shqetësime.

Së pari, pronat e tij të vendosura nën sekuestër, përfshijnë edhe disa kompani me qindra të punësuar. Këta të punësuar janë bashkëqytetarët tanë, njerëz me familje e plane, me kredi e halle, të cilët në këto momente përballen me ankth e stres të shtuar. Është e rëndësishme që administrimi i atyre kompanive të bëhet me përgjegjësi e transparencë të plotë edhe gjatë sekuestrimit, përderisa çështja ende vazhdon përmes organeve të drejtësisë. Gjatë kësaj kohe, detyrimet kontraktuale ndaj punëtorëve duhet të realizohen pa vonesa dhe atyre nuk u duhet ndërprerë punësimi. Duhet shmangur keqmenaxhimi, i cili do të mund t´i çonte në humbje e drejt falimentimit kompanitë, sepse kjo do të shtonte vështirësitë ekonomike të të punësuarve, si dhe do të bënte më të pasigurtë të tashmen e të ardhmen e tyre.

Së dyti, meqenëse dy prej atyre kompanive janë mediatike, është tepër e rëndësishme që, për sa kohë ende nuk ka mbaruar procesi gjyqesor, të mos vendosen pengesa për ushtrimin e profesionit të gazetarëve dhe të mos cenohet fjala e lirë. Ditën e djeshme, ndërhyrja e forcave speciale të armatosura në ambientet e dy televizioneve duket si vazhdim i taktikave të presionit të një shteti policor. Televizionet e vendosura nën sekuestrim do duhej të administroheshin me përgjegjësi e transparencë, pa presion politik. Shqipëria e sotme nuk ka një mjedis të mirë e të lirë medial, gazetarët janë pre e presioneve të shumëfishta. Në raportet e tij, Bashkimi Evropian e ka cilësuar Shqipërinë si një vend që shfaq treguesit e një shteti të kapur, ndërkohë që organizata amerikane “Freedom House” e ka cilësuar këtë vit sistemin politik në Shqipëri si “hibrid”, për shkak të rritjes së autoritarizmit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Sekuestrimi nënkupton që Agjencia (shtetërore) për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të marrë përsipër administrimin dhe përdorimin e këtyre pasurive. Në një shtet të kapur dhe autoritar, rritet shqetësimi për pavarësinë e agjencive të tilla, sa kohë procesi gjyqësor ende vazhdon. Përzierja e pushtetit në punët e medias në këtë rast delikat, do të hidhte dyshime të mëdha mbi gjithë procesin.

Së treti, mirëadministrimi i pasurive të sekuestruara, shmangia e abuzimeve, ruajtja e vlerës së tyre,ruan punëtorët e punësuar aty, si dhe nuk paragjykon përfundimin e procesit gjyqësor, duke ruajtur edhe buxhetin e shtetit. Në të kaluarën kemi parë raste ku janë prodhuar kosto të mëdha për buxhetin e shtetit në emër të drejtësisë, por në mbyllje të proceseve askush s’ka mbajtur përgjegjësi për humbjet.

Vetëvendosje bën thirrje për një proces të përgjegjshëm e të paanshëm që mbron të drejtat e punëtorëve, gazetarinë dhe buxhetin e shtetit.